| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosova regjistroi 11 mijë nxënës dhe studentë më pak gjatë vitit shkollor 2025/2026
Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se Kosova ka regjistruar 11.342 nxënës më pak në arsimin parauniversitar dhe 146 studentë më pak në arsimin e lartë gjatë vitit 2025/2026.
Kosova regjistroi 11 mijë nxënës dhe studentë më pak gjatë vitit shkollor 2025/2026
Kosova regjistroi 11 mijë nxënës dhe studentë më pak gjatë vitit shkollor 2025/2026 / AFP

Kosova ka parë rënie të numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar dhe të studentëve në arsimin e lartë gjatë vitit shkollor dhe akademik 2025/2026, ndërsa numri i fëmijëve në çerdhe dhe institucione parashkollore ka shënuar rritje të lehtë.

Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin mbi statistikat e arsimit për vitin shkollor dhe akademik 2025/2026.

ASK-ja bën të ditur se numri i fëmijëve të regjistruar në çerdhe dhe në arsimin parashkollor arriti në 35.948, ose 1.910 më shumë krahasuar me vitin paraprak, kur ishin regjistruar 34.038 fëmijë.

Nga numri i përgjithshëm, 24.422 fëmijë, apo 67,9 për qind, ndjekin edukimin në institucionet publike, ndërsa 11.526, ose 32,1 për qind, në institucionet private.

Në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, numri i nxënësve ka rënë në 198.639, nga 208.515 sa ishte një vit më parë. Prej tyre, 194.314 nxënës ndjekin mësimin në sektorin publik, ndërsa 4.325 në sektorin privat.

“Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët në vitin shkollor 2025/2026 ishte 198.639, prej tyre në sektorin publik ishin 194.314 ose 97,8 për qind dhe në sektorin privat 4 325 ose 2,2 për qind. Ndërkaq, në vitin shkollor 2024/2025 numri i nxënësve ishte 208.515, prej tyre në sektorin publik ishin 199.190 ose 95,5 për qind dhe në sektorin privat 9.325 ose 4,5 për qind”, njoftoi ASK-ja.

Të dhënat tregojnë se pjesëmarrja në sektorin publik është rritur në përqindje, ndërsa sektori privat ka shënuar ulje të numrit të nxënësve krahasuar me vitin shkollor 2024/2025.

Rënie është regjistruar edhe në arsimin e mesëm të lartë. Gjatë vitit shkollor 2025/2026, në këtë nivel janë regjistruar 62.085 nxënës, kundrejt 63.551 një vit më parë.

Në shkollat publike vijojnë mësimin 56.892 nxënës, ose 91,6 për qind e totalit, ndërsa në ato private 5.193 nxënës, apo 8,4 për qind. Sipas ASK-së, pavarësisht rënies së numrit të përgjithshëm, sektori privat ka shënuar një rritje të lehtë të pjesëmarrjes.

Raporti evidenton rënie të lehtë edhe në arsimin e lartë. Numri i studentëve për vitin akademik 2025/2026 ishte 64.671, krahasuar me 64.817 në vitin paraprak.

Nga ta, 34.208 studentë, apo 52,9 për qind, studiojnë në universitetet publike, ndërsa 30.463, ose 47,1 për qind, në kolegjet private.

Krahasuar me vitin akademik 2024/2025, universitetet publike kanë më pak studentë, ndërsa institucionet private të arsimit të lartë kanë shënuar rritje të numrit të regjistrimeve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë