Takimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Shteteve Turkike (OST) filloi në kryeqytetin e Türkiyes, Ankara, në kuadër të samitit të 13-të të organizatës.
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan priti takimin, sipas burimeve diplomatike. Ministrat e Jashtëm të OST-së realizuan një fotografi të përbashkët para takimit.
Samiti, i cili do të mbahet të enjten dhe të premten në Ankara, do të organizohet nga presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan me temën "Shekulli Turkik: Unitet në gjuhë, mendim dhe veprim".
E themeluar në vitin 2009, OST-ja, e njohur më parë si Këshilli Turkik, miratoi emrin e saj aktual gjatë samitit të tetë, të mbajtur në metropolin turk të Istanbulit në vitin 2021.
Türkiye, Azerbajxhani, Kazakistani, Uzbekistani dhe Kirgistani janë anëtare të organizatës ndërsa Turkmenistani, Hungaria, Republika Turke e Qipros Veriore dhe Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik kanë statusin e vëzhguesit.
Organizata njoftoi më 24 tetor se samiti do të mbledhë krerët e shteteve anëtare si dhe përfaqësues të nivelit të lartë nga shtetet vëzhguese dhe sekretarin e përgjithshëm, për të "diskutuar gjendjen aktuale dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit brenda organizatës", ndër çështje të tjera.
Ajo bëri të ditur se krerët e shteteve pritet të shqyrtojnë përparimin e arritur në fushat prioritare të OST-së ndërsa theks i veçantë do t'i kushtohet "forcimit të mëtejshëm të unitetit dhe solidaritetit" mes shteteve turkike dhe avancimit të bashkëpunimit në kuadër të Vizionit të Botës Turkike 2040.
Organizata shtoi se samiti do të shënojë gjithashtu dorëzimin e kryesimit të OST-së nga Azerbajxhani te Türkiye dhe pritet të trajtojë emërimin e një sekretari të ri të përgjithshëm si dhe prioritetet strategjike të organizatës "për periudhën e ardhshme".
"Krerët e shteteve pritet të miratojnë Deklaratën e Ankarasë, së bashku me një sërë vendimesh dhe dokumentesh që synojnë thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e mëtejshëm të strukturës institucionale të OST-së", thuhet në njoftim.























