Qytetarët në Maqedoninë e Veriut do të kenë mundësi t’i mbajnë dokumentet e identifikimit edhe në telefonat e tyre celularë, përmes një aplikacioni të ri që synon ta bëjë më të lehtë qasjen në shërbimet publike. Bëhet fjalë për aplikacionin “m.Uslugi”, të prezantuar nga Ministria e Transformimit Digjital, i cili mundëson përdorimin e dokumenteve elektronike dhe shërbimeve institucionale në mënyrë digjitale.
Aplikacioni është falas dhe përdorimi i tij është vullnetar. Ai paraqet një mundësi shtesë për qytetarët, pa zëvendësuar dokumentet fizike apo mënyrat ekzistuese të komunikimit me institucionet.
Gjatë prezantimit, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, aktivizoi aplikacionin dhe shtoi kartën e tij elektronike të identitetit në portofolin digjital.
Sipas ministrit, bëhet fjalë për një version elektronik të dokumentit zyrtar dhe jo thjesht për një fotografi apo dokument në formatin PDF.
Një nga funksionet kryesore të aplikacionit është mundësia e ndarjes selektive të të dhënave personale. Kjo u mundëson qytetarëve të konfirmojnë vetëm informacionin e nevojshëm, për shembull, nëse janë mbi 18 vjeç, pa zbuluar të dhëna të tjera personale.
Në fazat e ardhshme parashikohet edhe integrimi i mundësisë për kryerjen e pagesave përmes aplikacionit.
Sipas Andonovskit, synimi është thjeshtimi i procedurave administrative, reduktimi i burokracisë dhe lehtësimi i qasjes së qytetarëve në shërbimet publike.
Ideja për zhvillimin e aplikacionit “m.Uslugi” (e.Shërbimet) ka nisur në vitin 2024, pas njohjes me modelin ukrainas “Diia”. Koncepti është zhvilluar në kuadër të projektit evropian “GovTech4All”, përmes programit “Digital Europe”.


























