Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka mirëpritur në takim homologun e tij turk Ibrahim Ethem Haciosmanoglu, në prag të finales së madhe të "play off"-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes.
Kreu i FFK-së, Ademi ka bërë të ditur se pjesë e delegacionit të lartë të Federatës Turke të Futbollit ishin personalitete të larta të futbollit ndërkombëtar si Servet Yardımcı, ish-anëtar i KE-së të UEFA-s, Marcelo Balboa, legjendë e FIFA-s, si dhe përfaqësuesit e FIFA-s, Ben O'Neill e Richard van Poortvliet, por dhe mysafirë tjerë nga Türkiye.
"Kjo mbrëmje në prag të kësaj ndeshjeje historike rikonfirmoi lidhjet e forta dhe vlerat e përbashkëta që na bashkojnë në rrugëtimin tonë", shkroi Ademi.
Ai tha se me respektin më të lartë për miqtë nga Türkiye dhe me dëshirë për një lojë "fair-play" dhe spektakël "uroj që festa e nesërme t'u takojë Dardanëve".
"Kupa e Botës ka qenë ëndrra e shumë gjeneratave dhe një arritje e tillë do të përbënte promovimin më të madh ndërkombëtar për Kosovën", shkroi Ademi.
Të martën nga ora 20:45 lojtarët e dy kombëtareve të futbollit Kosovë-Türkiye zbresin në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë për t'u përballur në ndeshjen finale të "play off"-it, ku fituesi vazhdon tutje pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026.





















