Ushtria izraelite kreu sot sulm ajror në një qendër shëndetësore në jug të Libanit, pavarësisht armëpushimit në vazhdim, njofton agjencia kombëtare libaneze e lajmeve (NNA).
Avionët luftarakë izraelitë goditën qytetin Maaroub, pranë qytetit jugor Tyre, duke plagosur disa persona, thuhet në raport. Agjencia tha se një sulm ajror izraelit shënjestroi një qendër shëndetësore në qytetin Deir Qanoun al-Nahr në distriktin Tyre.
Nuk ka patur detaje të menjëhershme mbi viktimat ose dëmet në qendrën shëndetësore. Sulmet erdhën përpara bisedimeve të sigurisë të planifikuara që do të zhvillohen më vonë sot në ShBA midis delegacioneve ushtarake izraelite dhe libaneze.
Izraeli ka vazhduar sulmet e tij ndaj Libanit pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill dhe u zgjat më vonë me 45 ditë deri në fillim të korrikut.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka kryer një fushatë të zgjeruar ushtarake në Liban, duke pushtuar disa qytete në jug të vendit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit, sulmet izraelite që atëherë kanë vrarë 3.324 persona.
Ndërsa forcat izraelite kanë vazhduar sulmet dhe shkatërrimet në jug të Libanit, Hezbollahu është përgjigjur duke synuar trupat izraelite, duke akuzuar Izraelin për shkelje të përsëritura të marrëveshjes së armëpushimit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha më 25 maj se ka udhëzuar ushtrinë të intensifikonte sulmet ndaj Libanit.





















