Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar mbi raportimet dhe reagimet në lidhje me deklaratat e kryediplomatit serb, Marko Gjuriq, se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc, duke theksuar se politika e jashtme e vendit nuk ndërtohet mbi emocione, por sipas tij mbi interesin kombëtar.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha ka theksuar se synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës.
"Deklarimi i ministrit të Jashtëm të Serbisë (Marko Gjuriq), për mundësinë e hapjes së një konsullate në Shqipëri ka ngjallur debat. Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës. Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse", tha ai.
Duke theksuar se në praktikën e konsoliduar diplomatike reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare, Hoxha tha se: "Ai (reciprociteti) nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje, në objektiva apo në interesat e secilës palë. Reciprociteti është qasja mbi të cilën ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet shteteve, jo një masë mekanike me të cilën maten veprimet apo rezultatet".
Duke theksuar se synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, sipas tij një zhvillim i vonuar, në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar, ai tha se: "Kjo do të krijojë mundësi më të mira për të qenë më pranë qytetarëve shqiptarë atje, për t'i mbështetur ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e interesave të tyre legjitime".
"Është e çuditshme, madje e vështirë për t'u kuptuar, që shumë prej reagimeve zgjedhin të anashkalojnë pikërisht atë që është thelbësore: interesin e Shqipërisë dhe përfitimin konkret që sjell krijimi i një pranie të përhershme konsullore shqiptare në Luginën e Preshevës. Në vend që vëmendja të përqendrohet te mbështetja që kjo përfaqësi do t'u ofrojë shqiptarëve që jetojnë atje, te forcimi i lidhjeve të tyre me Shqipërinë dhe te mbështetja më e mirë e të drejtave dhe interesave të tyre legjitime, debati zhvendoset tek hamendësimet mbi interesat e supozuara të palës tjetër", tha Hoxha.
Krydiplomati Hoxha ka shtuar se politika e jashtme e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi emocione apo perceptime, por sipas tij mbi interesin kombëtar, respektimin e normave dhe praktikave të së drejtës ndërkombëtare, si dhe mbi frymën dhe vlerat evropiane.


















