Samiti në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping ishte "jashtëzakonisht pozitiv", tha sot presidenti amerikan Donald Trump duke i bërë një ftesë homologut Xi të vizitojë ShBA-në në shtator.
"Faleminderit përsëri, president Xi, për këtë pritje të mrekullueshme. Është nder për mua t'ju bëj një ftesë juve dhe zonjës Peng për të na vizituar në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator dhe ne mezi presim", tha Trump duke iu referuar zonjës së parë të Kinës, Peng Liyuan.
Trumpi i bëri këto komente ndërsa merrte pjesë në një darkë shtetërore, duke ngritur një dolli "për lidhjet e pasura dhe të qëndrueshme midis popullit amerikan dhe atij kinez". "Është një marrëdhënie shumë e veçantë. Dhe dua t'ju falënderoj përsëri. Kjo ka qenë një periudhë e mrekullueshme kohore. Faleminderit, president Xi", tha Trump.
"Sot patëm biseda dhe takime jashtëzakonisht pozitive dhe produktive me delegacionin kinez më herët dhe kjo mbrëmje është një tjetër mundësi e çmuar për të diskutuar midis miqve, disa nga gjërat që diskutuam sot, të gjitha të mira për ShBA-në dhe për Kinën dhe ishte një nder i madh të isha me ju", tha ai.
Duke vënë në dukje se marrëdhënia midis popullit amerikan dhe atij kinez daton që nga themelimi i ShBA-së, Trump falënderoi presidentin kinez për këtë "pritje madhështore".
"Të dyja vendet kanë shumë të përbashkëta", vuri në dukje presidenti amerikan, duke treguar vlerat e punës së palodhur, guximit dhe arritjes. "Bota është një botë e veçantë me ne të dy të bashkuar dhe së bashku", tha ai.
Trump ndodhet në një vizitë shtetërore treditore në Kinë, e para nga çdo president amerikan në detyrë në nëntë vjet.





















