Bashkimi Evropian (BE) ka ra dakord të lirojë miliarda euro fonde të ngrira më parë për Hungarinë, pas asaj që presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshkroi si “përparim të shpejtë dhe konkret” në reformat strukturore nën qeverinë e re të Budapestit.
Pas një takimi në Bruksel me kryeministrin hungarez, Peter Magyar, von der Leyen në një konferencë për media tha se Hungaria ka ndërmarrë “reforma të vonuara prej kohësh” që synojnë forcimin e masave kundër korrupsionit, përmirësimin e rregullave të prokurimit publik dhe forcimin e kuadrit të sundimit të ligjit.
Ajo tha se ndryshimet përfshijnë vendimin e Hungarisë për t’iu bashkuar Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, forcimin e Autoritetit Kombëtar të Integritetit, rishikimin e legjislacionit të prokurimit dhe heqjen graduale të strukturave të besimit me interes publik, të konsideruara me rrezik të lartë për “kapjen e shtetit”.
Sipas von der Leyen, këto hapa, së bashku me planet e dakorduara të investimeve në kuadër të programit të rimëkëmbjes së BE-së, mundësojnë lirimin gradual të fondeve.
“Jam shumë e lumtur të njoftoj sot se mund të zhbllokojmë 10 miliardë euro për Hungarinë”, tha ajo, duke shtuar se edhe 4.2 miliardë euro të tjera nga fondet e kohezionit, të lidhura me përmbushjen e kushteve, gjithashtu do të lirohen.
Hungaria dhe Komisioni Evropian ranë dakord edhe për një paketë të rishikuar investimesh në kuadër të NextGenerationEU, që synon sektorë si energjia, strehimi, transporti dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Magyar, nga ana e tij, tha se marrëveshja shënonte një “përparim historik” të arritur brenda pak javësh nga marrja e detyrës nga qeveria e re, duke argumentuar se vonesat e mëparshme të fondeve lidheshin me shqetësimet për korrupsionin dhe jo me mosmarrëveshje politike për çështje si migracioni apo politika ndaj Ukrainës.
“E kemi dëgjuar disa herë qeverinë e mëparshme, duke dëgjuar kundërshtimet e tyre pse gjërat nuk mund të bëhen. Ata kanë gënjyer popullin hungarez. Kanë gënjyer për BE-në”, tha ai.
Magyar tha se Hungaria ka pranuar masa kundër korrupsionit, përfshirë zgjerimin e kompetencave për institucionet e integritetit dhe mekanizma të rinj për rikuperimin e pasurive, duke shtuar se “vetëm disa javë mjaftuan” për të arritur një marrëveshje që më parë kishte mbetur pezull.
Ai tha se lirimi i fondeve do të ndihmojë financat publike të Hungarisë dhe premtoi se burimet do të përdoren për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike dhe shërbimet publike, duke theksuar se nuk kishte asnjë lidhje midis zhbllokimit të fondeve dhe hapjes së kapitullit të parë të bisedimeve për Ukrainën.
Tensionet mes BE-së dhe Hungarisë nisën në vitin 2010, kur blloku akuzoi qeverinë e Viktor Orbanit për promovimin e politikave konservatore që bien ndesh me rregullat e BE-së.
Më vonë, BE vendosi të nisë procedurat sipas Nenit 7, duke rritur kritikat për korrupsionin, lirinë e medias dhe të drejtat e njeriut, ndërsa fondet e BE-së u kushtëzuan për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit.
Partia Tisza e Magyarit fitoi kundër Orbanit në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, duke i dhënë fund sundimit 16-vjeçar të Orbanit.





















