Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar 27 vatra zjarri, 5 prej të cilave vijojnë aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 42 automjete zjarrfikëse dhe 371 forca operacionale, derisa në mbështetje të operacioneve janë vënë gjithashtu 153 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë, 4 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në Cikallesh të bashkisë Kavajë vijon puna për shuarjen e vatrave të mbetura, ndërsa situata nuk paraqitet problematike dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Mallakastër, zjarri në aksin Panahor–Ndrenie–Vlosh është nën kontroll. Nën kontroll është vendosur edhe zjarri në zonën Koilaç–Greshicë/Hekal, pa rrezik për zonat e banuara.
Në Krastë, për shkak të terrenit të vështirë, operacioni po vijon me mbështetje ajrore nga një helikopter i Forcës Ajrore, por në afërsi të vatrës nuk ka banesa dhe nuk paraqitet rrezik i drejtpërdrejtë për komunitetin.
Gjithashtu, në Vilëz të bashkisë Kurbin zjarri vijon aktiv derisa ndërhyrja e dy helikopterëve të FA-së gjatë ditës së djeshme ka frenuar avancimin e flakëve dhe ka shmangur rrezikun për kishën e afërt, varrezat dhe banesat.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar plotësisht edhe disa vatra të tjera, ndërsa ndërhyrje të suksesshme janë kryer në Xhaferaj–Oblikë, Spatharë dhe Kodrën e Butë në Cërrik.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në terren, me prioritet mbrojtjen e jetës së njerëzve, banesave dhe zonave të banuara.





















