| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Erdoğan: Mposhtja e përpjekjes për grusht shteti, “deklarata e pavarësisë” për Shekullin e Türkiyes
“15 korriku nuk ishte vetëm nata kur u pengua një përpjekje tradhtare për grusht shteti, por edhe një fitore e madhe e demokracisë, pasi populli ynë mbrojti vullnetin, demokracinë dhe pavarësinë e tij me çmimin e jetës”, tha presidenti turk.
Erdoğan: Mposhtja e përpjekjes për grusht shteti, “deklarata e pavarësisë” për Shekullin e Türkiyes
Erdoğan: Mposhtja e përpjekjes për grusht shteti, “deklarata e pavarësisë” për Shekullin e Türkiyes

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, e cilësoi përpjekjen e dështuar për grusht shteti të 15 korrikut 2016 si një moment përcaktues në historinë moderne të vendit, duke thënë se ajo përfaqësonte një “deklaratë pavarësie” për Shekullin e Türkiyes.

Në një artikull me titull “15 korriku: Deklarata e Pavarësisë së Shekullit të Türkiyes”, të publikuar me rastin e 10-vjetorit të Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, Erdoğan tha se përpjekja e dështuar për grusht shteti nuk synonte vetëm rrëzimin e qeverisë, por përbënte edhe një sulm ndaj pavarësisë dhe vullnetit demokratik të popullit.

“15 korriku nuk ishte vetëm nata kur u pengua një përpjekje tradhtare për grusht shteti, por edhe një fitore e madhe e demokracisë, e shkruar me germa të arta në histori, pasi populli ynë mbrojti vullnetin, demokracinë dhe pavarësinë e tij me çmimin e jetës”, shkroi ai.

Erdoğani tha se populli turk iu përgjigj thirrjes së tij për të dalë në rrugë me të njëjtën frymë që kishte karakterizuar Luftën për Pavarësi të vendit. Ai shtoi se gjatë rezistencës kundër përpjekjes për grusht shteti humbën jetën 253 persona dhe u plagosën më shumë se 2 mijë të tjerë.

Ai theksoi se thirrja e tij për rezistencë qytetare pasqyronte besimin që kishte te “pjekuria demokratike, largpamësia dhe guximi” i popullit.

Duke analizuar dekadën që pasoi përpjekjen për grusht shteti, Erdoğan tha se autoritetet kanë zhvilluar një luftë pa kompromis kundër Organizatës Terroriste FETÖ, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij.

“Ne e çrrënjosëm FETÖ-n nga çdo sektor, nga burokracia dhe ushtria deri te gjyqësori dhe komuniteti i biznesit”, tha ai, duke theksuar se lufta ende nuk ka përfunduar.

“Mënyra e vetme për të penguar FETÖ-n dhe organizata të tjera të ngjashme klandestine që të depërtojnë sërish në shtetin dhe shoqërinë tonë është të mbajmë gjallë frymën e 15 korrikut dhe t’ua përcjellim këtë vetëdije brezave të ardhshëm”, shkroi presidenti.

Erdoğani tha se Türkiye është bërë më e fortë gjatë dhjetë viteve të fundit.

“Ne vazhdojmë luftën kundër FETÖ-s dhe të gjitha organizatave të ngjashme terroriste me të njëjtën vendosmëri. Në 10-vjetorin e 15 korrikut, Türkiye është sot shumë më e fortë, më e vendosur dhe më e bashkuar”, tha ai.

“Për sa kohë që fryma e 15 korrikut mbetet gjallë në këto troje, askush nuk duhet të dyshojë se planet tradhtare të tradhtarëve dhe lojërat e pista të forcave globale që qëndrojnë pas tyre nuk do të kenë kurrë sukses”, shtoi Erdoğan.

Në përfundim, presidenti turk nderoi kujtimin e atyre që humbën jetën gjatë përpjekjes për grusht shteti dhe u lut që uniteti dhe solidariteti i vendit të vazhdojnë të ruhen.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë