Türkiye planifikon të modernizojë Hekurudhën historike të Hixhazit dhe ta zgjerojë atë deri në Oman për të krijuar një rrugë alternative globale tregtare ndaj Ngushticës së Hormuzit, tha të mërkurën ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu.
Duke folur në tryezën editoriale të Anadolus, Uraloğlu tha se vendi synon të ringjallë linjën historike si për turizëm ashtu edhe për transport modern.
Ai shpjegoi se faza fillestare përfshin lidhjen e Türkiyes me Halepin, duke shfrytëzuar rrjetin ekzistues Halep-Damask-Jordani, ndërsa negociatat me autoritetet saudite vazhdojnë.
Sipas tij, objektivi përfundimtar është zgjerimi i linjës deri në Oman për të arritur në oqean, duke krijuar një alternativë strategjike ndaj Ngushticës së Hormuzit.
Lidhur me Projektin e Rrugës së Zhvillimit, me gjatësi 1.200 kilometra, që shtrihet nga Gjiri i Basrës në Irak deri në kufirin turk, Uraloğlu konfirmoi se faza e projektimit është përfunduar.
Ky korridor i madh, që përfshin autostrada, hekurudha, linja energjie dhe komunikimi, do të realizohet me financim ndërkombëtar në partneritet me Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Irakun dhe Türkiyen.
Ministri tha se projekti pret një mjedis më të qetë rajonal përpara nisjes së ndërtimit.
Duke folur për Korridorin e Zangezurit, një segment strategjik i Korridorit të Mesëm, ai tha se tenderi për linjën 224-kilometërshe Kars-Iğdır-Aralık-Dilucu në anën turke është përmbyllur dhe puna ka nisur.
Ndërsa punimet në anën e Azerbajxhanit po i afrohen përfundimit, ministria vazhdon të monitorojë procesin për kalimin e Zangezurit përmes territorit armen, me synimin për të siguruar një lidhje më të shkurtër me botën turke dhe Azinë Qendrore.
Sa i përket transportit hekurudhor në Istanbul, Uraloğlu theksoi se projekti për përfshirjen e një linje hekurudhore në Urën Yavuz Sultan Selim përbën një hap të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve të transportit të mallrave.
Ai njoftoi se financimi për këtë projekt është siguruar nga gjashtë institucione ndërkombëtare të udhëhequra nga Banka Botërore, ndërsa marrëveshjet fillestare tashmë janë nënshkruar.
Sipas ministrit, tenderi pritet të hapet në ditët në vijim dhe ndërtimi të nisë para fundit të vitit, duke përdorur një kredi prej 6,75 miliardë dollarësh për të zgjidhur problemet e kapaciteteve në transportin hekurudhor të mallrave dhe pasagjerëve mes Evropës dhe Azisë.






















