Një pilote 20-vjeçare, e cila mori licencën e pilotimit gjatë shkollës së mesme, ishte bashkëpilotja e avionit privat që u rrëzua dje në Florida, duke shkaktuar vdekjen e nëntë personave.
Siç raporton gazeta amerikane The New York Post, familjarët e identifikuan bashkëpiloten si Nathalia Gadelha Filgueiras, duke konfirmuar për gazetën se ajo kishte punuar si pilote komerciale për nëntë muaj dhe kishte grumbulluar 1.300 orë fluturimi.
Filgueiras më parë kishte tërhequr vëmendjen e publikut në kontenë Palm Beach pasi kishte marrë licencën private të pilotimit në moshën 17-vjeçare, në tetor të vitit 2023, para se ta merrte patentën e shoferit.
Avioni Learjet 60 ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Austin-Bergstrom në Teksas drejt Aeroportit North Eleuthera në Bahamas, kur hyri në një zhytje të pjerrët, duke zbritur me një shpejtësi prej më shumë se 6.096 metrash në minutë, para se të rrëzohej në një zonë të banuar pranë Cresthaven, rreth orës 12:50 me kohën lokale.
Të gjithë nëntë personat në bord humbën jetën nga rrëzimi. Regjistrimet e komunikimeve të kontrollit të trafikut ajror në momentet para aksidentit përfshinin raportime nga kabina e pilotimit për turbulenca mesatare dhe ngrirje atmosferike, ndërsa temperaturat e jashtme kishin rënë në minus 47 gradë Celsius. Më pas u bë një thirrje emergjence “Mayday”, ndërsa avioni po humbiste me shpejtësi lartësi.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB), një agjenci e pavarur federale amerikane përgjegjëse për hetimin e aksidenteve të transportit, si dhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA) po hetojnë shkaqet e rrëzimit. NTSB-ja ka planifikuar të mbajë një konferencë për media në orën 13:00 me kohën lokale.






















