| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Përshkallëzimi i konfliktit ShBA-Iran rrit çmimin e naftës me gati 5 për qind
Sulmet e reja zbehin shpresat për rifillimin e diplomacisë dhe normalizimin e furnizimeve me naftë nga rajoni
Përshkallëzimi i konfliktit ShBA-Iran rrit çmimin e naftës me gati 5 për qind
Përshkallëzimi i konfliktit ShBA-Iran rrit çmimin e naftës me gati 5 për qind / AA

Çmimi i naftës Brent u rrit me rreth 5 për qind të hënën, pasi sulmet e reja mes ShBA-së dhe Iranit shtuan shqetësimet për transportin detar dhe furnizimet me energji përmes Ngushticës së Hormuzit.

Nafta bazë Brent u ngjit në rreth 80 dollarë për fuçi në orët e para të së hënës (13 korrik), pasi gjatë fundjavës të dyja palët kryen sulme të reja me raketa dhe dronë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se të dielën ndërmorën valën e katërt të sulmeve ndaj Iranit brenda një jave, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi iranian ndaj një anijeje me flamur të qipriot.

Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM) tha se goditi dhjetëra objektiva me synimin për të dobësuar aftësinë e Iranit për të kërcënuar anijet tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën strategjike të Hormuzit.

Nga ana tjetër, Irani deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur “deri në njoftim të dytë, megjithëse CENTCOM-i e hodhi poshtë këtë pretendim.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit njoftoi në orët e para të së hënës se goditi dy baza ushtarake në Kuvajt, duke pretenduar se dëmtoi depo karburanti, sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe pajisje të radarit.

Teherani tha gjithashtu se ka sulmuar objekte ushtarake amerikane në disa vende të Gjirit, ndërsa shpërthime u raportuan në qytetin portual Bandar Abbas në jug të Iranit, pak para se CENTCOM-i të njoftonte përfundimin e operacionit të tij të fundit.

Më vonë, ushtria iraniane pretendoi se rrëzoi një dron amerikan mbi Bandar Abbas.

Çmimet e naftës janë rikuperuar që nga java e kaluar, pasi përshkallëzimi i ri i konfliktit fshiu një pjesë të rënies së mëparshme, e cila ishte nxitur nga një marrëveshje e përkohshme mes ShBA-së dhe Iranit. Kjo marrëveshje kishte rritur pritshmëritë për lundrim më të sigurt në Ngushticën e Hormuzit dhe shtim të furnizimeve rajonale me energji.

Përshkallëzimi i fundit ka zbehur gjithashtu shpresat për rifillimin e negociatave, ndërsa Teherani kërkon që Uashingtoni fillimisht të përmbushë angazhimet e mëparshme lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit dhe eksportet iraniane të naftës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë