| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Drejtori i Spitalit Kamal Adwan kërkon lirimin e menjëhershëm, kundërshton ndalimin e tij
Dr. Hussam Abu Safiya u paraqit përmes lidhjes video nga qelia e tij në burg për të mbrojtur punën e tij si pediatër, duke theksuar se ka vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.
Drejtori i Spitalit Kamal Adwan kërkon lirimin e menjëhershëm, kundërshton ndalimin e tij
Drejtori i Spitalit Kamal Adwan kërkon lirimin e menjëhershëm, kundërshton ndalimin e tij / Reuters

Drejtori i Spitalit Kamal Adwan në veri të Gazës, Dr. Hussam Abu Safiya, i ka bërë thirrje Gjykatës Supreme të Izraelit që të urdhërojë lirimin e tij të menjëhershëm, duke deklaruar se ndalimi i tij ka qenë “i padrejtë dhe arbitrar”. Kjo ishte paraqitja e tij e parë para gjykatës pas gati një viti.

Abu Safiya u paraqit para gjykatës përmes videolidhjes nga qelia e burgut, ndërsa kishte pranga në duar.

“Ndërprerja e lirisë sime është e padrejtë dhe arbitrare, dhe kërkoj lirimin tim të menjëhershëm”, citohet të ketë thënë ai nga avokati i tij mbrojtës, Nasser Abu Odeh.

“Unë jam pediatër dhe ofroj shërbime mjekësore dhe kujdes për pacientët, të plagosurit dhe personat e pambrojtur në Rripin e Gazës”, tha Abu Safiya.

“Punën time e kam kryer në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet humanitare, prandaj ndalimi im është i padrejtë dhe arbitrar”, shtoi ai.

Kushte të vështira në burg

Avokati i tij deklaroi në një videomesazh pas seancës se gjykata vendosi të shtyjë marrjen e vendimit lidhur me vazhdimin e ndalimit të Abu Safiyas. Vendimi pritet të merret brenda në një të ardhme të afërt.  

Seanca shënoi paraqitjen e parë publike të Abu Safiyas që nga shkurti i vitit 2025, kur mediat izraelite publikuan pamje ku ai shihej i prangosur brenda burgut pas arrestimit.

Paraqitja e tij erdhi vetëm pak ditë pasi avokati mbrojtës bëri publike detaje mbi kushtet e ndalimit, duke thënë se mjeku po mbahet në rrethana të vështira, me duar dhe këmbë të lidhura, me sasi të kufizuar ushqimi, pa qasje në ujë të sigurt për pije dhe pa kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Sipas avokatit, autoritetet izraelite e transferuan Abu Safiyan më 3 qershor nga Burgu Negev në izolim në Burgun Nafha, në jug të Izraelit.

Ligji i diskutueshëm

Ushtria izraelite e arrestoi Abu Safiyan më 27 dhjetor 2024 gjatë një bastisjeje në Spitalin Kamal Adwan.

Më 14 shkurt 2025, Qendra për të Drejtat e Njeriut “Al Mezan” njoftoi se komandanti i Komandës Jugore të ushtrisë izraelite, gjeneralmajori Yaron Finkelman, kishte urdhëruar ndalimin e Abu Safiyas sipas të ashtuquajturit “Ligji për Luftëtarët e Paligjshëm”.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe shumë organizata ndërkombëtare mjekësore dhe për të drejtat e njeriut, kanë bërë thirrje për ndërhyrje urgjente për të garantuar sigurinë e tij.

Sipas Qendrës “Al Mezan”, Knesseti (Parlamenti i Izraelit) e miratoi “Ligjin për Luftëtarët e Paligjshëm” në vitin 2002. Ky ligj u mundëson autoriteteve të mbajnë persona në paraburgim për periudha të pacaktuara pa ngritur akuza zyrtare dhe pa paraqitur prova të mjaftueshme para gjykatës.

Aktualisht, rreth 9.500 palestinezë ndodhen në burgjet izraelite.

BURIMI:TRT World