| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Türkiye dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje për teknologjinë satelitore në IAC 2026 në Antalya
Në kuadër të marrëveshjes, TURKSAT dhe China Satcom planifikojnë të zhvillojnë sisteme komunikimi për dronë, teknologji të Internetit të Gjërave (IoT) të bazuara në satelitë dhe teknologji inteligjente për sigurinë kufitare.
Türkiye dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje për teknologjinë satelitore në IAC 2026 në Antalya
Türkiye dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje për teknologjinë satelitore në IAC 2026 në Antalya

Türkiye dhe Kina do të zhvillojnë punë të përbashkëta në fushën e teknologjive hapësinore, në kuadër të një marrëveshjeje për kërkim dhe zhvillim (R&D), zhvillim produktesh dhe komercializim, të nënshkruar mes kompanive TURKSAT dhe China Satcom.

Kongresi i 77-të Ndërkombëtar i Astronautikës (IAC 2026) po vazhdon në Qendrën e Kongreseve NEST në Antalya, me Anadolu-n si Partner Global i Komunikimit. Kongresi organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Astronautikës (IAF) dhe mbahet nën mikpritjen e Agjencisë Hapësinore të Türkiyes (TUA) dhe "SAHA Istanbul", nën koordinimin e Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë.

Kompani turke po prezantojnë produktet e tyre në kongres ndërsa po nënshkruajnë edhe marrëveshje me partnerë ndërkombëtarë. Sipas informacioneve të siguruara nga Anadolu, TURKSAT dhe operatori satelitor China Satcom me bazë në Kinë kanë nënshkruar një protokoll gjithëpërfshirës që synon zhvillimin e teknologjive të reja.

Protokolli u nënshkrua gjatë një ceremonie të zhvilluar në stendën e TURKSAT nga zv/drejtori i përgjithshëm i kompanisë për shërbimet satelitore, Selman Demirel dhe drejtori ekzekutiv i China Satcom, Ma Haiquan. Marrëveshja synon të bashkojë ekspertizën inxhinierike të dy vendeve përmes kërkimit dhe zhvillimit të përbashkët, zhvillimit të produkteve dhe komercializimit.

Do të zhvillohen produkte dhe zgjidhje novatore

Partneriteti mes dy institucioneve, i cili filloi vitin e kaluar me ndarjen e kapaciteteve, u zgjerua përmes vendimeve të marra gjatë Javës Botërore të Biznesit Hapësinor në Paris.

Me bashkëpunimin që tashmë përfshin zhvillimin e pajisjeve harduerike dhe softuerike, marrëveshja shënon një fazë të re të kërkimit dhe zhvillimit të përbashkët dhe prodhimit në fushën e teknologjive hapësinore mes Türkiyes dhe Kinës.

Në kuadër të marrëveshjes, TURKSAT dhe China Satcom planifikojnë të zhvillojnë sisteme komunikimi për dronë, teknologji të Internetit të Gjërave (IoT) të bazuara në satelitë dhe teknologji inteligjente për sigurinë kufitare. TURKSAT do të zgjerojë portofolin e zgjidhjeve duke aplikuar kapacitetet e saj ekzistuese në zhvillimin e zgjidhjeve satelitore dhe të komunikimit nga fillimi në fund në teknologji dhe fusha të reja aplikimi.

Bashkëpunimi do ta përfshijë gjithë procesin, nga analizimi i nevojave të tregut dhe zhvillimi i prototipeve fillestare deri te testimi, validimi dhe komercializimi. Inxhinierë turq dhe kinezë do të punojnë së bashku për zhvillimin e produkteve dhe zgjidhjeve të reja.

TURKSAT synon të bëhet furnizues kryesor i teknologjisë

Siguria inteligjente kufitare dhe teknologjitë e IoT-së janë ndër fushat e tjera kryesore që mbulon marrëveshja. Partneriteti synon të zhvillojë pajisje të specializuara për zona ku nuk ka rrjete tokësore të komunikimit. Marrëveshja përfshin zhvillimin e pajisjeve harduerike që do të mundësojnë menaxhimin përmes satelitit të pajisjeve të përdorura në sektorë si energjia, bujqësia dhe logjistika, në zona të largëta pa rrjete celulare.

Infrastruktura e kufizuar e komunikimit tokësor në shumë pjesë të botës krijon boshllëqe në sigurinë kufitare dhe transmetimin e të dhënave industriale. Partneriteti TURKSAT-China Satcom synon të zhvillojë sisteme inteligjente satelitore të monitorimit dhe IoT-së, të afta për ta mundësuar transmetimin e të dhënave në kohë reale në zona të largëta dhe të vështira, përtej mbulimit të stacioneve bazë celulare ose rrjeteve me fibra optike.

Përmes këtyre zgjidhjeve të integruara harduerike dhe softuerike të bazuara në satelitë, TURKSAT synon të bëhet një nga furnizuesit kryesorë të teknologjisë në ekosistemin global. Gjithashtu, do të krijohet një komitet i përbashkët drejtues, me përfaqësim të barabartë nga të dyja institucionet, për t'i mbikëqyrur aktivitetet e kërkimit dhe zhvillimit dhe zhvillimin e produkteve. Puna do të rishikohet çdo tre muaj.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë