Tregu i pasurive të paluajtshme në Dubai ka pësuar një rënie të ndjeshme, ndërsa tensionet në rritje që përfshijnë ShBA-në, Izraelin dhe Iranin kanë ndikuar rëndë në aktivitetin e investitorëve.
Shitjet e pronave ranë me 30,5 për qind, duke zbritur nga 17,027 transaksione para përshkallëzimit të fundit të shkurtit në 11.828 në periudhën nga 2 marsi deri më 29 mars, sipas platformës së pasurive të paluajtshme DXB Interact.
Ndikimi financiar ishte edhe më i thellë, me vëllimin total të transaksioneve që ra me 36 për qind, nga 16,53 miliardë dollarë në 10,58 miliardë dollarë brenda një muaji.
Indeksi i Pasurive të Paluajtshme në Tregun Financiar të Dubait ra gjithashtu me 21,23 për qind.
Ekspertët e industrisë thonë se ngadalësimi mund të jetë edhe më i thellë sesa tregojnë të dhënat. Bayram Tekçe, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve të Shërbimeve të Pasurive të Paluajtshme me seli në Istanbul (GIGDER), i tha Anadolu-s se kërkesa reale e blerësve mund të ketë rënë deri në 70 për qind, ndërsa ndikimi i plotë pritet të shfaqet në muajt në vijim.
Ai tha se rrugët më të qeta dhe hotelet bosh i kanë shtyrë zhvilluesit të ofrojnë në mënyrë të heshtur zbritje dhe plane fleksibile pagese për të ruajtur imazhin premium të tregut.
Tekçe gjithashtu theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndaluar rinovimin e vizave të qëndrimit ose lejeve për rreth 600.000 shtetas iranianë, për shkak të shqetësimeve të shtuara të sigurisë pas sulmeve hakmarrëse.
Burak Ustaoğlu, drejtor ekzekutiv i kompanisë globale këshilluese për pasuri të paluajtshme WovenInt, tha se tregu ka hyrë në një fazë të kujdesshme “prit dhe shiko”, ku blerësit po fokusohen në projekte afatgjata me pagesa fillestare më të ulëta dhe këste të zgjatura.
Ai shtoi se çmimet e pronave tashmë kanë rënë rreth 10%, duke paralajmëruar se nëse tensionet vazhdojnë edhe për disa muaj, çmimet në tregun sekondar mund të bien deri në 30 për qind.
















