Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka deklaruar se Shqipëria mbetet e përkushtuar për ta forcuar më tej rolin e saj në NATO, sipas tij në funksion të paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Ministri Nufi është takuar në Bruksel me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Giuseppe Cavo Dragone.
Në një reagim në rrjetet sociale, Nufi ka theksuar se takimi është realizuar në funksion të forcimit të dialogut strategjik dhe thellimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me Aleancën në çdo nivel.
"Vëmendje e veçantë ndaj Kosovës dhe rolit të KFOR-it në garantimin e stabilitetit dhe paqes. Roli strategjik të Korridori 8 dhe zhvillimi i Porto Romanos me mbështetjen e mëtejshme nga Aleanca, i rëndësishëm për avancimin e projekteve me rëndësi kombëtare dhe rajonale. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej rolin e saj në NATO, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë", ka theksuar Nufi.
Ministri i Nufi zhvilloi një vizitë pune në Bruksel, ku u prit në takim edhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Nufi është takuar gjithashtu edhe me personelin ushtarak dhe civil të Përfaqësisë së Përhershme të Republikës së Shqipërisë në NATO.




















