| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Eurodeputetët vlerësojnë progresin e shpejtë të Shqipërisë drejt BE-së
Komiteti për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar raportin për progresin e Shqipërisë, ku eurodeputetët theksojnë se rruga drejt BE-së varet nga zbatimi real i reformave.
Eurodeputetët vlerësojnë progresin e shpejtë të Shqipërisë drejt BE-së
Eurodeputetët vlerësojnë progresin e shpejtë të Shqipërisë drejt BE-së / AP

Komiteti për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian ka përgëzuar Shqipërinë për përparimin në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se zbatimi i plotë i reformave të miratuara mbetet vendimtar.

Raporti, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder, u miratua me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime. Eurodeputetët vlerësojnë angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për integrimin në BE dhe progresin e shpejtë të arritur në vitet e fundit.

Sipas raportit, Shqipëria konsiderohet një nga vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit. Objektivi për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 cilësohet si realist, por i lidhur drejtpërdrejt me cilësinë e reformave dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Megjithatë, eurodeputetët theksojnë se vendi vijon të përballet me sfida të rëndësishme, përfshirë polarizimin politik, nevojën për përmirësimin e kulturës politike, forcimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e luftës kundër korrupsionit.

Në raport nënvizohet se, pavarësisht progresit, korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe kërkohet forcimi i rezultateve konkrete në hetime, ndjekje penale dhe dënime, veçanërisht në rastet e nivelit të lartë.

Gjithashtu, evidentohet rëndësia e garantimit të pavarësisë së gjyqësorit, i cili sipas eurodeputetëve vazhdon të përballet me presion dhe ndërhyrje politike.

Raporti bën thirrje për përmirësim të mëtejshëm të lirisë së medias dhe pluralizmit, si dhe për avancim të reformës në administratën publike, me fokus në depolitizimin dhe rekrutimin mbi bazë merite.

Në aspektin ekonomik dhe social, theksohet nevoja për përmirësimin e klimës së biznesit dhe forcimin e dialogut social, në mënyrë që përfitimet e procesit të integrimit të shpërndahen në të gjitha shtresat e shoqërisë.

Ndërkohë, eurodeputetët vlerësojnë përafrimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe rolin e saj në promovimin e stabilitetit në rajon.

Raporti pritet të hidhet në votim në një nga seancat e ardhshme plenare të Parlamentit Evropian.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë