Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030".
Ministri i Sportit dhe Rinisë në Kosovë, Blerim Gashani, tha se organizimi i Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030" përfaqëson një arritje strategjike për Kosovën duke e vendosur vendin në hartën e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare.
Gashani tha se marrëveshja me Shqipërinë paraqet zgjidhje funksionale dhe të arsyeshme për organizimin e disiplinave të lundrimit, duke reflektuar realitetin gjeografik dhe nevojën për bashkëpunim rajonal.
Duke qenë se Kosova nuk ka dalje në det, Gashani tha se, përfshirja e qytetit të Durrësit si vend-zhvillimi për sportin e lundrimit është zgjidhje logjike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të organizimit të ngjarjeve multisportive.
Ministri kosovar tha se kjo marrëveshje nuk e cenon rolin e Kosovës si nikoqire, por, përkundrazi e fuqizon atë duke treguar fleksibilitet dhe kapacitet për të organizuar lojëra gjithëpërfshirëse në bashkëpunim me partner strategjikë.
Ai tutje theksoi se marrëveshja përcakton qartë ndarjen e përgjegjësive midis palëve, ku Kosova mban barrën kryesore financiare për organizimin e garës së lundrimit në Durrës.
Gashani tha se Shqipëria në këtë rast "merr rolin e partnerit zbatues në territorin e saj duke ofruar infrastrukturën detare dhe duke garantuar organizimin teknik dhe operacional të disiplinës së lundrimit".
Partitë politike e mbështetën marrëveshjen midis Kosovës dhe Shqipërisë për zbatimin e disiplinës së lundrimit në territorin e Shqipërisë gjatë Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030".
93 deputetë votuan pro miratimit të marrëveshjes, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.




















