| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosova e shpall person “non grata” ministren serbe Snezhana Paunoviq
Sveçla tha se ministrja serbe me gjuhën e saj ka treguar "vazhdimësi të një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre".
Kosova e shpall person “non grata” ministren serbe Snezhana Paunoviq
Kosova e shpall person “non grata” ministren serbe Snezhana Paunoviq / AA

Autoritetet kosovare e kanë shpallur person “non grata” ministren serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur lidhur me këtë vendim të cilin e ka nënshkruar dhe ua ka dërguar institucioneve kompetente të vendit.

Sveçla tha se ministrja serbe me gjuhën e saj ka treguar "vazhdimësi të një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre".

“Si ministër i Punëve të Brendshme i Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes të cilit Snezhana Paunoviqin e kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës. Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, shkroi Sveçla në rrjetet sociale.

Ai tutje tha se Republika e Kosovës është shtet sovran e demokratik, me institucione të forta që e mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e çdo qytetari.

“Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”, tha Sveçla.

Ministrja serbe Paunoviq tha se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”.

Deklarata e saj ngjalli reagime edhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian (BE), të cilët deklaruan se për këtë gjuhë ka “zero tolerancë”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë