| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Artisti nigerian kombinon pasionin e tij për shkencën dhe artin në veprat e tij
Olatunde, i cili ka kryer kërkime dhe prova për një kohë të gjatë për përgatitjen e bojërave nga argjila, përmes metodës që ka zhvilluar përfton bojëra natyrore në nuanca të ndryshme.
Artisti nigerian kombinon pasionin e tij për shkencën dhe artin në veprat e tij
Artisti nigerian kombinon pasionin e tij për shkencën dhe artin në veprat e tij

 Artisti nigerian, Emmanuel Olatunde realizon portrete me bojëra të përgatitura nga argjila natyrore, duke bashkuar njohuritë e tij shkencore me pasionin për artin.

Olatunde, i cili jeton në Lagos, me teknikën që ka zhvilluar duke përdorur argjilë natyrore në vend të materialeve tradicionale të bojës, e shndërron argjilën, krahas skulpturës dhe qeramikës, edhe në një mjet shumëngjyrësh shprehjeje në telajo.

Artisti përdor, përveç strukturës natyrore të argjilës, edhe okside të përdorura në prodhimin e qeramikës dhe lidhës të ndryshëm për të përftuar ngjyra të ndryshme.

Olatunde, i cili ka kryer kërkime dhe prova për një kohë të gjatë për përgatitjen e bojërave nga argjila, përmes metodës që ka zhvilluar përfton bojëra natyrore në nuanca të ndryshme.

Pasioni për artin që nisi në fëmijëri

Njohja e Olatundes me artin daton që nga vitet e fëmijërisë së tij, të cilat i kaloi në qytetin Bauchi, në verilindje të Nigerisë, larg Lagosit.

Artisti pamor Olatunde tha për Anadolu se interesi i tij për pikturën nisi pasi pa xhaxhain e tij duke vizatuar dhe filloi ta imitonte duke vizatuar edhe vetë.

Duke shprehur se në përgatitjen e bojës së parë prej argjile e kishte ndihmuar nëna e tij, Olatunde tha: "Argjilën që përdora në pikturën time të parë e kishte përzier nëna ime për mua. Kur pashë rezultatin, u gëzova shumë. Ajo që përftova më magjepsi vërtet".

Ai tha se kjo përvojë ishte fillimi i teknikës që do ta zhvillonte më vonë. Olatunde theksoi se e ka zhvilluar metodën e tij duke ndërthurur kërkimet shkencore me punën artistike.

"Pyesja veten nëse mund të pikturoja me argjilë"

Ai u shpreh se ideja për të bërë bojë natyrore duke përdorur argjilë i lindi gjatë viteve të shkollës. Olatunde tha se me kalimin e kohës kjo kureshtje u zhvillua dhe se ai mori edukim për art në Bauchi.

Duke treguar se kishte parë punime të ndryshme me argjilë, Olatunde tha: "Pyesja veten nëse mund të pikturoja me argjilë. Më pas pashë dikë që pikturonte me rërë dhe fillova të hulumtoja nëse edhe argjila mund të përdorej si bojë".

Olatunde tregoi se gjatë kërkimeve të tij kishte zbuluar se ngjyra e argjilës mund të ndryshohet jo vetëm në kushte natyrore, por edhe përmes oksidimit, duke shtuar se përftoi ngjyra të ndryshme duke përdorur oksidet e përdorura në artin e qeramikës.

Edhe ekologjike, edhe e qasshme

Artisti nigerian thotë se pikturimi me argjilë natyrore është i rëndësishëm jo vetëm nga pikëpamja artistike, por edhe nga ajo mjedisore dhe ekonomike. Olatunde nënvizoi se teknika e tij mund të jetë një alternativë ndaj materialeve tradicionale të bojës.

Sipas tij, argjila natyrore gjendet lehtësisht në rajone të ndryshme të Nigerisë ndërsa veçanërisht të rinjtë që kanë vështirësi në qasjen te materialet tradicionale të artit mund ta përdorin këtë metodë.

"Sot gjithçka është shumë e shtrenjtë. Për dikë që dëshiron të pikturojë, por nuk ka mundësi të blejë bojë, argjila mund të jetë një alternativë e rëndësishme. Në Nigeri mund të gjeni argjilë në shumë vende", tha më tej Olatunde.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë