Bekim Sejdiu ka njoftuar të hënën se është tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, duke thënë se vendimi vjen për shkak të mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjeve politike në lidhje me këtë proces.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Sejdiu tha se para dy javësh ishte kontaktuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ishte ftuar në një takim me delegacionet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Sipas tij, në takim ishte bërë e ditur se, pas një procesi të gjatë të bisedimeve, të dyja partitë kishin arritur pajtueshmëri që ai të propozohej si kandidat jopartiak për president të Kosovës.
“Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës”, shkroi Sejdiu.
Ai tha se nuk kishte pasur ambicie për pozita publike përtej angazhimeve të tij akademike dhe profesionale dhe se motivi i vetëm për pranimin e kandidaturës ishte përpjekja për të kontribuuar në zhbllokimin e ngërçit institucional.
Megjithatë, Sejdiu tha se gjatë procesit nuk u arrit të sigurohet mbështetja e nevojshme në Kuvend.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.
Sejdiu bëri të ditur se për vendimin e tij i ka njoftuar paraprakisht përfaqësuesit e LDK-së dhe LVV-së.
Ai falënderoi personat që e kanë mbështetur kandidaturën e tij, duke përmendur kolegët, miqtë, personalitetet publike, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe veçanërisht mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sejdiu theksoi se “Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”.
Ai u bëri thirrje partive politike që të gjejnë një rrugëdalje nga kriza institucionale, duke shprehur shpresën se do t'i tejkalojnë përplasjet dhe do të punojnë për një të ardhme më të mirë për qytetarët.
“Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e lindur nga ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime. Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht”, shkroi Sejdiu.
Bekim Sejdiu ka qenë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese nga viti 2015 deri 2021. Para se të bëhej gjyqtar i Kushtetueses, ka qenë Ambasador i Kosovës në Türkiye, nga viti 2008 deri 2012, dhe Konsull i Përgjithshëm në Nju Jork në vitet 2012-14.
Sejdiu gjithashtu është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës nga viti 2002.


























