Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në kuadër të vizitës në Pragë është takuar me kryetarin e Senatit të Republikës së Çekisë, Milos Vystrcil.
Siç njofton Peleshi në rrjetin social amerikan X, në takim ka shkëmbyer mendime mbi rolin e diplomacisë parlamentare në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, thellimin e lidhjeve institucionale dhe avancimin e bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët.
Peleshi theksoi se Shqipëria dhe Republika e Çekisë ndajnë një angazhim të fortë për integrimin evropian.
Ai theksoi rëndësinë e veçantë që Shqipëria i kushton mbështetjes së Republikës së Çekisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE) dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si kontribute thelbësore për një rajon më paqësor dhe më të sigurt.






















