Juristja kroate Morana Miljanoviq është në krye të një anijeje në flotën ndërkombëtare "Sumud" që po përpiqet të arrijë në Rripin e Gazës, mes bllokadës detare izraelite të vendosur në vitin 2007.
Rreth 60 anije me aktivistë dhe punonjës humanitarë u nisën të dielën nga ishulli italian i Siçilisë drejt Gazës, ndërsa pritet që t’u bashkohen edhe mjete të tjera lundruese, duke e rritur numrin e përgjithshëm në rreth 80.
Miljanoviq, 41 vjeçe, është kapitenja e anijes “Shireen”, e gjatë pothuajse 19 metra, në të cilën ndodhen dhjetë anëtarë të ekuipazhit.
“U nisëm para dy ditësh, tani jemi në Mesdheun qendror. Rreth nesh janë 58 anije, do të na bashkohen edhe anije të tjera që do të nisen nga vende të ndryshme dhe do të takohemi në det”, tha ajo për Anadolu, duke shtuar se numri përfundimtar i anijeve ende nuk është konfirmuar.
“Nuk e di numrin e saktë sa do të jemi, por rreth 80 anije do të lundrojnë në fund drejt Gazës”, shtoi ajo, duke kujtuar se misionet e mëparshme janë penguar nga probleme teknike dhe sabotime.
Lundrimi, në varësi të kushteve të motit, mund të zgjasë nga dhjetë ditë deri në dy javë.
“Për momentin, sipas parashikimeve detare, gjithçka po shkon sipas planit dhe tani jemi në gjysmën e rrugës drejt Kretës”, tha Miljanoviq.
Anija “Shireen” ka edhe një qëllim afatgjatë. “Anija ka një rol të pavarur dhe një të ardhme në mbështetjen e fëmijëve, të mbijetuarve të gjenocidit në Gaza dhe palestinezëve që ndodhen në vendet fqinje të Mesdheut si refugjatë. Do të përdoret si mjet terapie për stresin posttraumatik”, tha ajo.
Anija është emëruar sipas Shireen Abu Akleh, gazetare e njohur palestinezo-amerikane e Al Jazeeras, e cila u vra më 11 maj 2022 me një plumb në kokë teksa po raportonte për një operacion ushtarak izraelit në Jenin, në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas Miljanoviqit, gratë kanë luajtur rol qendror në projekt, përfshirë donatorët dhe organizatorët e mjetit lundrues.
“Ndiejmë se kemi përgjegjësi të caktuara, veçanërisht ndaj Shireenit, e cila kishte një reputacion dhe integritet të madh gjatë jetës, dhe ende si gazetare është shembull për shumë vajza në Palestinë dhe më gjerë”.
Ky nuk është misioni i saj i parë i tillë. “Edhe gjatë misionit të mëparshëm kam lundruar në të njëjtën anije dhe sërish jam këtu”, tha ajo, duke pranuar rreziqet e mundshme pas incidenteve të mëparshme kur flotat janë ndaluar nga forcat izraelite.
E pyetur për frikën, ajo u përgjigj: “Natyrisht që jemi njerëz, natyrisht që kemi frikë. Megjithatë, të flasësh për frikën tonë në krahasim me atë që përjetojnë njerëzit në Gaza dhe në Bregun Perëndimor është problematike”.
Ajo u ndal edhe te incidentet e fundit të dhunës në rajon, duke theksuar atë që e përshkroi si një krizë humanitare në rritje.
“Gjenocidi ndaj popullit të Palestinës, i cili nuk është i vetmi gjenocid që po ndodh aktualisht, është një përshkallëzim i dehumanizimit sistematik, okupimit, kufizimit të lirive themelore njerëzore, spastrimit etnik, normalizimit dhe institucionalizimit të ideve të superioritetit dhe dominimit dhe prodhimit shtetëror të frikës, si dhe i shpronësimit kolonial-kapitalist”, u shprej ajo.
Sipas saj, çështja e Gazës shkon përtej gjeografisë.
“Kjo nuk është thjesht një vendndodhje gjeografike, nuk është një situatë e largët diku atje. Gjenocidi është vetëm një moment ekstrem i një situate që ekziston, majtas dhe djathtas dhe rreth jush, aty ku ndodheni ju dhe ku ndodhem unë”, tha Miljanoviq.
Ajo thotë se liria nuk është e pjesshme. “Kuptojmë se askush prej nesh nuk do të jetë i lirë derisa personi më i shtypur mes nesh të jetë vërtet i lirë”, u shpreh juristja kroate.
Në fund, ajo i drejtoi një apel edhe rajonit, pas lajmeve për prodhimin e planifikuar të dronëve në Serbi.
“Para disa ditësh pamë konfirmimin se në Serbi është arritur një marrëveshje për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e dronëve, e cila do të jetë edhe në pronësi të kompanisë Elbit Systems, e cila ka reputacion negativ sepse prodhon dronë që përdoren në gjenocidin në Gaza”, tha ajo, duke shtuar se “këta dronë do të prodhohen në Serbi, ndërsa vendet e tjera të rajonit marrin pjesë financiarisht dhe në mënyra të tjera”, deklaron Miljanoviq.
“U bëj thirrje njerëzve në rajon që të ngrihen dhe të organizohen në mënyrë që të thonë ‘jo’ ndaj asaj që po ndodh në mjedisin e tyre”, shtoi ajo.
Anije nga Marseja dhe Barcelona mbërritën javën e kaluar në portin italian të Sirakuzës në Siçili, nga ku u nisën të dielën drejt Gazës.
Në anije ndodhet ndihmë humanitare, materiale për spitale dhe për rindërtimin e Rripit të shkatërruar të Gazës.
Ushtria izraelite në tetor të vitit të kaluar ndaloi një kolonë prej rreth 50 anijesh me aktivistë. Vitet e fundit, asnjë anije nuk ka arritur të depërtojë deri në bregun e Rripit të Gazës, i cili që nga tetori 2023 është nën sulme izraelite të cilat kanë vrarë të paktën 72.593 palestinezë dhe kanë plagosur 172.399 të tjerë, ndërsa është shkatërruar rreth 90 për qind e infrastrukturës civile në Gaza.





















