Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka mbërritur në Nju Jork për të marrë pjesë në javën e nivelit të lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Erdogan u prit në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy nga ambasadori i Türkiyes në OKB, Ahmet Yildiz, ambasadori në Uashington, Sedat Onal, konsulli i përgjithshëm në Nju Jork, Muhittin Ahmet Yazal, si dhe zyrtarë të tjerë.
Erdoğan pritet të mbajë fjalimin e tij vjetor në OKB të martën, në ditën e hapjes së javës së nivelit të lartë, gjatë së cilës liderët botërorë përdorin foltoren e OKB-së për t’iu drejtuar botës.
Fjalimi i tij do të shënojë paraqitjen e 16-të të tij para Asamblesë së Përgjithshme.
Fokusi kryesor i fjalimit të tij pritet të jetë veprimet e Izraelit në Gaza, nevoja për njohjen e Palestinës si shtet dhe masat e mundshme ndërkombëtare kundër Izraelit.
Erdoğan pritet të tërheq vëmendjen te gjendja e rëndë humanitare në Gaza dhe t’u bëjë thirrje vendeve anëtare të OKB-së të mbajnë qëndrim ndaj sulmeve të vazhdueshme të Izraelit kundër popullit palestinez, si dhe kundër vendeve të rajonit.
Gjatë kësaj jave, ai gjithashtu pritet të zhvillojë takime me një numër të madh krerësh shtetesh dhe qeverish, si dhe të mbajë fjalim në Samitin e Klimës të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së të mërkurën.
Në muajin nëntor Türkiye do të presë Samitin vjetor të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, i njohur si COP31, në qytetin mesdhetar Antalya.
Udhëtimi i presidentit Erdogan në Nju Jork nisi nga Aeroporti Ataturk i Istanbulit, me avionin presidencial. Ai shoqërohej nga bashkëshortja, Emine Erdoğan, dhe zyrtarë të lartë, përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ministrin e Drejtësisë, Akin Gurlek, ministrin e Thesarit dhe Financave, Mehmet Simsek, shefin e inteligjencës. Ibrahim Kalin dhe drejtorin e Komunikimeve, Burhanettin Duran.






















