| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Presidentja në detyrë e Kosovës takon homologen e Sllovenisë dhe atë të Maqedonisë së Veriut
Në takim u trajtuan hapat e ardhshëm të Kosovës në rrugën drejt BE-së, përfshirë nevojën që përparimi në reforma, rreshtimi me politikën e jashtme, si dhe përkushtimi ndaj vlerave evropiane të pasohen me lëvizje konkrete në procesin e integrimit.
Presidentja në detyrë e Kosovës takon homologen e Sllovenisë dhe atë të Maqedonisë së Veriut
Presidentja në detyrë e Kosovës takon homologen e Sllovenisë dhe atë të Maqedonisë së Veriut / AA

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi takime të ndara me Presidenten e Republikës së Sllovenisë, Natasa Pirc Musar, si dhe me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në margjinat e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje.

Në takim me presidenten sllovene, Haxhiu diskutoi për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme sllovene ndaj rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

Haxhiu shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e Sllovenisë në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë deri në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi.

Në takim u trajtuan edhe hapat e ardhshëm të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, përfshirë nevojën që përparimi në reforma, rreshtimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe përkushtimi ndaj vlerave evropiane të pasohen me lëvizje konkrete në procesin e integrimit.

Haxhiu falënderoi Slloveninë edhe për kontributin e saj në KFOR, duke theksuar rëndësinë e këtij angazhimi për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit.

Në takim me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova, Haxhiu diskutoi për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dy vende fqinje me interes të përbashkët për stabilitetin rajonal, lidhshmërinë dhe integrimin evropian.

Në këtë takim Haxhiu theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së ndërsjellë në organizata ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për një rrugë më të qartë drejt NATO-s.

Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe projekteve infrastrukturore që lidhin drejtpërdrejt dy vendet, përfshirë autostradën Bllacë-Shkup dhe projektin e tunelit Tetovë-Prizren, si projekte me rëndësi për lëvizjen e qytetarëve, tregtinë dhe zhvillimin ekonomik.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë