Kremlini ka bërë të ditur se akoma nuk është arritur asnjë marrëveshje për një takim të mundshëm midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, i cili ruajti pushtetin në zgjedhjet parlamentare të javës së kalua.
Në deklaratat për gazetarët gjatë një konference për media në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se aktualisht nuk ka “marrëveshje të qarta” për këtë çështje, duke theksuar se rezultatet zyrtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura gjatë fundjavës në Armeni ende nuk janë publikuar.
“Ju e dini se shumë votues planifikojnë të kundërshtojnë rezultatet, do të ketë rinumërim dhe kështu me radhë. Pra, është një proces mjaft i gjatë dhe i ndërlikuar”, tha Peskov.
Rreth 1,47 milionë nga afërsisht 2.5 milionë armenë hodhën votën e tyre në 2.005 qendra votimi në mbarë vendin në zgjedhjet parlamentare të së dielës së kaluar, duke shënuar një pjesëmarrje prej gati 59 për qind.
Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Armenisë, partia “Kontrata Civile” e Pashinyanit siguroi 49,82 për qind të votave ndërsa rivali i saj më i afërt, partia “Armenia e Fortë”, e udhëhequr nga miliarderi Samvel Karapetyan, grumbulloi 23,28 për qind.
Në një deklaratë fillestare më herët gjatë kësaj jave lidhur me zgjedhjet, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova pretendoi se votimi parlamentar u zhvillua në kushte të ndërhyrjes perëndimore dhe të “presionit të paprecedentë” ndaj opozitës së vendit.
Sot, kryetari i komisionit zgjedhor armen, Vahagn Hovakimyan, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve "Armenpress" tha se institucioni zgjedhor do të publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të dielën, duke theksuar se rinumërimet po kryhen në një numër qendrash votimi.






















