Procesi i verifikimit të pakove me fletëvotime të ardhura përmes postës nga votuesit jashtë Kosovës po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ndërsa deri më tani janë aprovuar mbi 7 mijë prej tyre.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, nga Qendra Komunale e Numërimit në Prishtinë, bëri të ditur se deri sot janë shqyrtuar mbi 7 mijë pako të supozuara me fletëvotime. Sipas tij, 7 mijë e 153 prej tyre janë aprovuar, ndërsa 142 janë refuzuar.
Arsyeja më e shpeshtë e refuzimit të këtyre pakove, sipas Elezit është në 114 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna të votuesit, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja.
Ndërkohë bëri të ditur se në 13 Qendra Komunale të Numërimit, procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar.
“Deri më tani procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 13 QKN, ndërkaq numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara është 1 mijë e 379 nga 2 mijë e 498 apo më shumë se 55 përqind. Ndërkaq në të tjerat pritet që të përmbyllet gjatë ditës së sotme e mërkurë. Sa i përket aktiviteteve në QNR, është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Deri më tani nga pjesa më e madhe që janë sjellë në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 7 mijë të tilla, prej të cilave janë aprovuar 7 mijë e 153, ndërkaq janë refuzuar 142. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është se në 114 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ kur regjistrohet si votues jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Elezi tha se në QNR po bëhet vlerësimi i pakove të supozuara me fletvotime jashtë Kosovës.
Gjithashtu tha se do bëhet edhe skanimi i listës së votuesve të përdorur në vendvotime të rregullta, listës së përdorur në votimin e personave me nevoja të veçanta dhe votimi në përfaqësi diplomatike.























