Autoritetet kosovare kanë ndaluar vendosjen në treg të rreth 150 mijë lodrave për fëmijë, të gjitha me origjinë nga Kina, në kuadër të parandalimit të hyrjes në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë.
Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), për këtë u realizua aksion i përbashkët ndërmjet Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në pikat doganore.
“Ky aksion është realizuar në kuadër të një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut në të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, me qëllim të forcimit të kontrollit dhe parandalimit të hyrjes në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit është arritur në përfundimin se lodrat e ndaluara nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me rregullore për sigurinë e lodrave.
“IQMT rikujton se lodrat për fëmijë, që nuk përmbushin kërkesat dhe standardet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi mund të paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve”, thuhet tutje.
MINTI-ja në fund shtoi se përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, do të vazhdojë aktivitetet e mbikëqyrjes dhe kontrollit të produkteve që vendosen në treg, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të sigurisë së produkteve.
Kina kryeson listën e vendeve nga të cilat Kosova ka importuar më së shumti gjatë 10 muajve të parë të vitit 2026, duke kaluar Gjermaninë, e cila mbante vendin e parë në periudhën përkatëse të vitit 2025.






















