| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Kryeministri Rama takohet me presidentin francez Macron në prag të Forumit të Paqes në Paris
Rama ka bërë të ditur se me Macronin ka diskutuar për të gjitha temat me interes të përbashkët, në prag të Forumit të Paqes që mbahet të martën.
Kryeministri Rama takohet me presidentin francez Macron në prag të Forumit të Paqes në Paris
Kryeministri Rama takohet me presidentin francez Macron në prag të Forumit të Paqes në Paris./Reuters

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar të hënën me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize në Paris, ku ndodhet me ftesë të këtij të fundit për të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris.

Rama ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se me Macronin ka diskutuar për të gjitha temat me interes të përbashkët, në prag të Forumit të Paqes që mbahet të martën.

Forumi i këtij viti vë në fokus rëndësinë e qeverisjes efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit, në një kohë të shënuar nga ndryshimet gjeopolitike, zhvillimet teknologjike dhe sfidat klimatike.

Në kuadër të forumit, Rama do të marrë pjesë në sesionin e posaçëm “Spotlight”, ku do të diskutojë mbi perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për brezat e rinj.

Kryeministri shqiptar do të jetë gjithashtu pjesë e seancës plenare me temë “Nga sovraniteti te bashkëpunimi”, e cila do të trajtojë dimensione të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë