Türkiye dhe Uzbekistani nënshkruan të hënën një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen e mjedisit, me synimin për të forcuar përpjekjet e përbashkëta në luftimin e ndryshimeve klimatike, parandalimin e ndotjes së ajrit dhe ujit, përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve dhe promovimin e ekonomisë qarkulluese.
Marrëveshja u nënshkrua në ditën e parë të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP31), që po zhvillohet në Türkiye.
Nënshkrimi u bë në qytetin e Antalias, pas një takimi mes presidentit të COP31 dhe ministrit turk të Mjedisit, të Urbanizimit dhe të Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, dhe Aziz Abdukhakimov, këshilltar i presidentit të Uzbekistanit për çështjet mjedisore dhe kryetar i Komitetit Kombëtar për Ekologjinë dhe Ndryshimet Klimatike.
Duke njoftuar marrëveshjen në rrjetet sociale, Kurum deklaroi se ajo do të krijojë një bazë të fortë për bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Me Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në Mbrojtjen e Mjedisit, të cilin e nënshkruam pas takimit tonë, hodhëm një bazë të fortë për përpjekjet e përbashkëta në luftimin e ndryshimeve klimatike, parandalimin e ndotjes së ajrit dhe ujit, menaxhimin e mbetjeve dhe ekonominë qarkulluese”, tha ai.
“Shpresoj që ky partneritet, i forcuar në Antalya, të jetë i dobishëm për vendet tona dhe të ardhmen tonë të përbashkët”, shtoi Kurum.






















