Një kërcënim ndaj gjithë popullit iranian është “i papranueshëm”, tha Papa Leo të martën, duke reaguar ndaj paralajmërimit të mëhershëm të presidentit amerikan Donald Trump se “një civilizim i tërë do të vdesë sonte”.
Duke folur me gazetarët ndërsa largohej nga rezidenca e tij në Castel Gandolfo drejt Vatikanit, Papa tha: “Sot, siç e dimë të gjithë, ka pasur kërcënim ndaj gjithë popullit të Iranit. Dhe kjo është plotësisht e papranueshme”.
Më herët, Trump kërcënoi se do të bombardojë termocentralet dhe urat në të gjithë Iranin nëse Teherani nuk rihap Ngushticën e Hormuzit dhe nuk arrin një marrëveshje deri të martën në orën 20:00 sipas kohës lindore të ShBA-së (00:00 GMT, e mërkurë).
Ai i paraqiti këto deklarata jo vetëm si një çështje ligjore, por edhe si një imperativ moral. “Sigurisht që këtu ka çështje të së drejtës ndërkombëtare, por mbi të gjitha është një çështje morale që lidhet me të mirën e popullit në tërësi”.
Leo theksoi kontekstin më të gjerë të paqëndrueshmërisë globale, duke thënë se ekziston “një krizë ekonomike botërore, një krizë energjetike dhe një situatë në Lindjen e Mesme me paqëndrueshmëri të madhe, e cila vetëm sa po nxit më shumë urrejtje në të gjithë botën”.
“Le të kujtojmë, veçanërisht, të pafajshmit: fëmijët, të moshuarit, të sëmurët, kaq shumë njerëz që tashmë janë bërë, ose do të bëhen, viktima të kësaj lufte të vazhdueshme. Sulmet ndaj infrastrukturës civile janë kundër së drejtës ndërkombëtare dhe… një shenjë e urrejtjes, përçarjes dhe shkatërrimit që qenia njerëzore është e aftë të prodhojë”, theksoi ai.
“Do t’i ftoja qytetarët e të gjitha vendeve të përfshira… të kontaktojnë autoritetet, liderët politikë, deputetët, për t’u kërkuar atyre, për t’u thënë atyre, të punojnë për paqen dhe të refuzojnë luftën dhe dhunën”, tha ai.
Përshkallëzimet rajonale kanë vazhduar që kur Izraeli dhe ShBA-ja nisën një ofensivë kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1.400 njerëz, përfshirë edhe ish-Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima, dëme në infrastrukturë dhe duke ndërprerë tregjet globale dhe aviacionin.


















