| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti për zgjedhjen e presidentit: Jemi të gatshëm për bashkëpunim me opozitën
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh optimist në mbarëvajtjen e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë.
Kurti për zgjedhjen e presidentit: Jemi të gatshëm për bashkëpunim me opozitën
Kurti për zgjedhjen e presidentit: Jemi të gatshëm për bashkëpunim me opozitën

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, njëherësh kandidat edhe për një mandat nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se rezultatet përfundimtare pas numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit do të mundësojnë nisjen e diskutimeve për hapat e ardhshëm politikë.

Kurti u shpreh optimist në mbarëvajtjen e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë.

“Jemi ende duke pritur numërimin e votave. Votat janë ende duke ardhur dhe duke u numëruar. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave ne do të mund të fillojmë të bisedojmë për hapat e ardhshëm. Duhet ta keni parasysh atë që është evidente përsëri, që Lëvizja Vetëvendosje është fituese e padiskutueshme bashkë me partnerët tanë të koalicionit parazgjedhor. Ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”, ka deklaruar ai.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të ri, Kurti ka theksuar se ky proces kërkon bashkëpunim edhe me partitë opozitare.

“Sa i përket zgjedhjes së presidentit, ju e dini që këtë duhet bërë në bashkëpunim me opozitën për shkak të asaj kërkese të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para më shumë se një dekade, që kërkohen 80 deputetë t’i kenë votat e tyre të fshehta në kuti. Jemi të gatshëm, jemi të vullnetshëm, jemi të interesuar për komunikim dhe bashkëpunim, por kjo nuk është asgjë e re nga ana jonë”, ka shtuar ai.

Çështja e emërimit të presidentit të ri ishte shkaku që çoi në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe, dështoi ta zgjedhë presidentin e ri për shkak të mungesës së 80 votave të nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë