| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Haxhiu me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës: Jemi këtu në Prekaz, në vendin ku filloi gjithçka
“Nuk ka 12 qershor pa marsin e vitit 1998. Nuk ka 12 qershor pa qëndresën e Komandantit Adem Jashari, Hamzës, Shabanit dhe të mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari”, theksoi ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Haxhiu me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës: Jemi këtu në Prekaz, në vendin ku filloi gjithçka
Haxhiu me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës: Jemi këtu në Prekaz, në vendin ku filloi gjithçka

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti, me rastin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Haxhiu ka thënë se më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit, Prekazi mbetet vendi prej nga nis kujtesa e lirisë së Kosovës.

“Nuk ka 12 qershor pa marsin e vitit 1998. Nuk ka 12 qershor pa qëndresën e Komandantit Adem Jashari, Hamzës, Shabanit dhe të mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari, të cilët ranë dhe nuk u dorëzuan asnjëherë. Ata nuk mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, ata mbrojtën tokën, tokën e të parëve tanë që ishte, është dhe do të jetë përherë e shqiptarëve”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu tha se sakrifica e tyre u bë themeli mbi të cilin qëndroi Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Republika e Kosovës.

“Prandaj, çdo gëzim i kësaj feste fillon pikërisht këtu, pranë këtyre varreve. Liria që ne e gëzojmë sot është amaneti i tyre, që Kosovën tonë, edhe si institucione, edhe si shoqëri, ta duam, por edhe ta nderojmë përherë me veprimet që e fuqizojnë çdo ditë”, është shprehur Haxhiu.

Haxhiu theksoi se liria e Kosovës është fryt i qëndresës së armatosur, rezistencës politike dhe sakrificës së shumë brezave.

Po ashtu, Haxhiu dhe kryeministri në detyrë Kurti bënë homazhe tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi, te Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, te shtatorja e Heroit Zahir Pajaziti, si dhe te Monumenti Përkujtimor i Ushtarëve të NATO-s.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë