Në Istanbul të Türkiyes po mbahet Forumi i Biznesit Türkiye-Maqedoni e Veriut.
Në Forumin e Biznesit Türkiye-Maqedoni e Veriut, të organizuar nga Bordi i Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK) në Istanbul, morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ministri i Tregtisë i Türkiyes, Ömer Bolat, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Türkiyes, Abdulkadir Uraloğlu, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, kryetari i DEIK-ut, Nail Olpak, zëvendësdrejtori rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nick Hartmann, si dhe shumë të tjerë.
"Si qeveri, mbetemi të përkushtuar për krijimin e një mjedisi biznesi të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe konkurrues që nxit investimet, inovacionin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike", tha Sali në fjalën e tij, duke shtuar se Ministria për Çështje Evropiane ka rol qendror në koordinimin e agjendës së reformave dhe Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
"Dua t'i inkurajoj kompanitë turke që të shfrytëzojnë në mënyrë aktive mundësitë që burojnë nga instrumentet e fondeve të BE-së, fondet IPA, Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe mekanizmat e tjerë financiarë evropianë", tha ai.
Zv/kryeministri Sali theksoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut i jep përparësi ndërlidhjes infrastrukturore. Ai tha se projektet e autostradave Korridori 8 dhe Korridori 10 do të kontribuojnë në aspektin ekonomik dhe tregtar si për vendin e tij, ashtu edhe për rajonin.
Synimi është që Maqedonia e Veriut të shndërrohet në një qendër logjistike për Adriatikun, Baltikun dhe Azinë, tha Sali, duke shtuar se përvoja dhe ekspertiza e kompanive turke në fushën e energjisë së rinovueshme, tranzicionit të gjelbër dhe teknologjive moderne mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendit të tij.
"Türkiye është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë"
Ministri Mucunski, nga ana e tij, theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Türkiye, si partnerë strategjikë dhe aleatë, kanë ndërtuar marrëdhënie të bazuara në respekt të ndërsjellë dhe besim politik.
"Kjo bazë e fortë politike është një përfitim, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi. Kjo bazë tani duhet të shndërrohet në bashkëpunim ekonomik edhe më të thellë, vëllim më të madh tregtar, më shumë investime dhe mundësi më konkrete për kompanitë dhe qytetarët tanë", tha ai.
Duke theksuar se diplomacia ekonomike është në themel të politikës së jashtme, Mucunski tha se tërheqja e investimeve, mbështetja e eksporteve dhe lidhja e kompanive janë gjithashtu pjesë e diplomacisë.
"Türkiye mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë. Investimet turke kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin tonë ekonomik", tha ai, duke shtuar se prania e më shumë se 3.000 kompanive turke në vend tregon besimin e fortë të komunitetit turk të biznesit në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.
Mucunski nënvizoi se arritja e një shkëmbimi tregtar dypalësh prej 1 miliard dollarësh është një pikë e rëndësishme referimi dhe se partneriteti ekonomik dhe investimet e ndërsjella mund të zhvillohen edhe më tej.
Zëvendësdrejtori rajonal i UNDP-së, Hartmann, gjithashtu theksoi se organizimi i forumit tregon përkushtimin e Türkiyes ndaj marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor. Ai tha se Strategjia e Zhvillimit e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2024-2034 është ambicioze dhe vendimtare, ndërsa shtoi se janë krenarë që mbështesin agjendën zhvillimore të vendit.
"Pjesëmarrja e fuqishme sot në këtë sallë, si nga Türkiye ashtu edhe nga Maqedonia e Veriut, është një tregues i qartë i interesit në rritje për bashkëpunimin rajonal dhe investimet ndërkufitare", tha Hartmann.





















