| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Oxfam: Që nga 2023, më shumë palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor se në 17 vitet e mëparshme
Organizata ndërkombëtare "Oxfam" tha se 1.244 palestinezë, përfshirë 268 fëmijë, u vranë në Bregun Perëndimor nga viti 2023 deri në fund të vitit 2025.
Oxfam: Që nga 2023, më shumë palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor se në 17 vitet e mëparshme
Oxfam: Që nga 2023, më shumë palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor se në 17 vitet e mëparshme/ Foto: AA

Në një analizë të publikuar nga organizata ndërkombëtare humanitare "Oxfam" thuhet se më shumë palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite ose kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor midis vitit 2023 dhe fundit të vitit 2025 sesa gjatë 17 viteve të mëparshme të marra së bashku.

Duke cituar të dhëna nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) "Oxfam" tha se 1.244 palestinezë, përfshirë 268 fëmijë, u vranë në Bregun Perëndimor nga viti 2023 deri në fund të vitit 2025. Sipas analizës, për krahasim, 1.036 palestinezë, përfshirë 225 fëmijë, u vranë midis vitit 2006 dhe fundit të vitit 2022.

“Vrasja në rritje e civilëve në Bregun Perëndimor është tragjike dhe tronditëse. Teksa sytë e botës kanë qenë të përqendruar te Gaza, sulmet në Bregun Perëndimor janë përshpejtuar”, tha Bushra Khalidi, përgjegjëse për politikat humanitare në "Oxfam International".

Analiza gjithashtu zbuloi se gati 46 mijë palestinezë janë zhvendosur në Bregun Perëndimor gjatë tre viteve të fundit për shkak të operacioneve ushtarake, dhunës së kolonëve, prishjeve të ndërtesave dhe kufizimeve të qasjes. Sipas "Oxfam", kjo krahasohet me pak më shumë se 13 mijë persona të zhvendosur gjatë 14 viteve të mëparshme të marra së bashku.

Organizata tha se kufizimet e lëvizjes janë shtuar gjithashtu, me 925 pengesa që tashmë ndikojnë në lëvizjen në të gjithë Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor. "Oxfam" tha se më shumë se një në pesë palestinezë të vrarë gjatë periudhës 20-vjeçare të mbuluar nga të dhënat ishin fëmijë.

Sipas "Oxfam", më shumë se 540 sulme nga kolonët u regjistruan gjatë tre muajve të parë të vitit 2026 ndërsa 33 palestinezë u vranë dhe më shumë se 2.200 të tjerë u zhvendosën. Organizata tha se gjetjet e saj bazohen në të dhënat e OCHA-s dhe bëri thirrje për masa për të trajtuar situatën humanitare në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe për të mbrojtur civilët.

Që kur Izraeli nisi luftën e tij në Gaza në tetor të vitit 2023, zyrtarët palestinezë thonë se masat izraelite që synojnë aneksimin e Bregut Perëndimor janë shtuar, duke përfshirë prishjen e shtëpive, zhvendosjen me forcë dhe zgjerimin e vendbanimeve.

Sipas organizatës izraelite kundër vendbanimeve "Paqe Tani" (Peace Now), rreth 500 mijë kolonë izraelitë të paligjshëm jetojnë në vendbanime të paligjshme në të gjithë Bregun Perëndimor ndërsa 250 mijë të tjerë jetojnë në vendbanime të ndërtuara në tokë palestineze në Kudsin Lindor të pushtuar.

Sipas shifrave palestineze, forcat izraelite dhe kolonët kanë vrarë të paktën 1.169 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, kanë plagosur më shumë se 12.600 persona dhe kanë ndaluar rreth 23 mijë të tjerë që nga tetori i vitit 2023.

Në një opinion historik të dhënë korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.