| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
BE-ja dhe liderët aziatikë kërkojnë “zgjidhje të negociuar substanciale” para takimit ShBA-Iran
Liderët, në një deklaratë të përbashkët, shprehën mbështetje për armëpushimin e përkohshëm dhe bënë thirrje për zgjidhje diplomatike të shpejtë.
BE-ja dhe liderët aziatikë kërkojnë “zgjidhje të negociuar substanciale” para takimit ShBA-Iran
BE-ja dhe liderët aziatikë kërkojnë “zgjidhje të negociuar substanciale” para takimit ShBA-Iran / AP
11 Prill 2026

Liderë nga Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të BE-së dhe Azisë bënë thirrje të premten për një “zgjidhje të negociuar substanciale” për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, teksa zyrtarë të lartë të ShBA-së dhe Iranit pritet të takohen në Pakistan.

Në një deklaratë të përbashkët, liderët e Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës, Greqisë, Suedisë, Holandës, Danimarkës, Norvegjisë, Finlandës, Letonisë, Portugalisë, si dhe Zelandës së Re, Australisë, Kanadasë, Japonisë dhe të tjerë, së bashku me drejtuesit e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, shprehën mbështetje për armëpushimin e përkohshëm dhe falënderuan Pakistanin dhe partnerët për ndërmjetësimin e marrëveshjes.

Ata theksuan se hapi i radhës duhet të jetë arritja e një fundi të shpejtë dhe të qëndrueshëm të konfliktit përmes mjeteve diplomatike, duke bërë thirrje për përparim të shpejtë drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Deklarata nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve në Iran dhe sigurimit të stabilitetit rajonal, duke paralajmëruar se dështimi për të arritur një marrëveshje mund të shkaktojë një krizë të rëndë globale energjetike.

“Ne i mbështesim këto përpjekje diplomatike. Për këtë qëllim, jemi në kontakt të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të zbatojnë armëpushimin, përfshirë edhe në Liban”, thuhet në deklaratë.

Ajo theksoi gjithashtu angazhimin për ruajtjen e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Pakistani, së bashku me Türkiyen, Kinën, Arabinë Saudite dhe Egjiptin, arriti të sigurojë të mërkurën një armëpushim dyjavor mes Uashingtonit dhe Teheranit, 40 ditë pasi ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt.

Si pjesë e marrëveshjes, të dyja palët ranë dakord të takohen në Islamabad për bisedime me synimin e arritjes së një paqeje të qëndrueshme.

Zv/presidenti JD Vance përfaqëson ShBA-në, ndërsa delegacioni iranian drejtohet nga kryetari i parlamentit Bagher Qalibaf.

Negociatat, të quajtura “Bisedimet e Islamabadit”, vijnë pasi Pakistani siguroi këtë javë një armëpushim dyjavor, pas 39 ditësh luftime që nisën më 28 shkurt, kur ShBA-ja dhe Izraeli filluan luftën kundër Iranit, duke vrarë më shumë se 3.000 iranianë.

Të paktën 13 ushtarë amerikanë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë luftës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë