Pakistani pret sot negociatat historike të drejtpërdrejta mes ShBA-së dhe Iranit, të njohura si “Bisedimet e Islamabadit”, më të rëndësishmet që nga viti 1979, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, pas një armëpushimi të brishtë dyjavor të arritur.
Bisedimet, të ndërmjetësuara nga Pakistani, po zhvillohen në një vend të pazbuluar në kryeqytetin e fortifikuar Islamabad dhe mund të zgjasin për “disa ditë”, sipas zyrtarëve pakistanezë.
Delegacionet amerikane dhe iraniane kanë mbërritur veçmas në Islamabad për këtë takim të nivelit të lartë, më i rëndësishmi ballë për ballë që nga viti 1979, kur një regjim pro-amerikan u rrëzua në Teheran.
Zv/presidenti i ShBA-së JD Vance kryeson delegacionin amerikan, ku përfshihen i dërguari special për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
Delegacioni iranian drejtohet nga kryetari i parlamentit Bagher Qalibaf dhe përfshin ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi dhe zëvendësin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Ali Bagheri Kani, ndër të tjerë.
Vance tha se delegacioni amerikan do të takohet me palën iraniane me “duar të hapura”, duke pritur një rezultat “pozitiv”, por paralajmëroi kundër çdo mungese mirëbesimi nga ana e Teheranit.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, do të përfaqësojë Islamabadin në këto bisedime, të cilat kryeministri Shehbaz Sharif i ka cilësuar si vendimtare për arritjen e një armëpushimi të përhershëm.
Të dy delegacionet pritet gjithashtu të zhvillojnë takime të ndara me Sharifin.
“Pikë kthese” në marrëdhëniet ShBA-Iran dhe në politikën globale
Akademiku pakistanez Munawar Hussain Pahnwar tha për Anadolu se këto bisedime përbëjnë “një pikë kthese në historinë e marrëdhënieve” mes ShBA-së dhe Iranit, si dhe në strukturën e fuqisë në Lindjen e Mesme dhe politikën globale që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
“Nëse kanë sukses, këto angazhime do të ndryshojnë natyrën e marrëdhënieve diplomatike mes dy kundërshtarëve afatgjatë”, tha ai.
Pakistani, së bashku me Türkiye, Kinën, Arabinë Saudite dhe Egjiptin, arriti të sigurojë një armëpushim dyjavor mes Uashingtonit dhe Teheranit, 39 ditë pas nisjes së luftës më 28 shkurt.
Ekspertë theksojnë se përbërja e delegacioneve në nivel të lartë tregon seriozitetin e palëve.
“Niveli i lartë i përfaqësimit në të dy delegacionet është një sinjal se të dyja palët e kanë seriozisht”, tha Ali Vaez nga International Crisis Group.
Kërkesa konkurruese dhe sfida për marrëveshje
Zëvendësministri i Jashtëm iranian Majid Takht-Ravanchi tha se kuadri me 10 pika i propozuar nga Teherani është pranuar si bazë për negociatat, por theksoi se Irani nuk do të pranojë armëpushim pa garanci kundër agresionit të ri.
Ndërkohë, Trump ka kërkuar që Irani ta ndalojë programin bërthamor, të kufizojë programin e raketave balistike dhe të çmontojë aleatët e tij rajonalë, duke paralajmëruar sulme nëse nuk arrihet marrëveshje.
Ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht progresit fillestar, arritja e një marrëveshjeje mbetet e pasigurt për shkak të mosbesimit të thellë dhe dallimeve thelbësore mes palëve.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga 28 shkurti, kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit, duke vrarë më shumë se 3.000 persona, sipas autoriteteve iraniane.
Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe aseteve amerikane në rajon, si dhe duke kufizuar lëvizjen në Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar ndikime të mëdha në tregjet globale të energjisë.
Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, të dyja palët janë takuar në Islamabad për të negociuar një paqe të qëndrueshme.
















