Nënpresidenti i SHBA-së, JD Vance, të martën doli hapur në mbrojtje të sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke i cilësuar përpjekjet e ligjvënësve në Kongres për shkarkimin e tij përmes procedurës së fajësimit si spektakël të krijuar për të shmangur qeverisjen.
“A ka kryer Pete Hegseth vepra penale që justifikojnë shkarkimin përmes procedurës së fajësimit? Pyetja është absurde dhe përgjigjja është: sigurisht që jo”, shkroi Vance në platformën sociale amerikane X. “Ashtu si shumë gjëra të tjera në Kongres, procedura e fajësimit është shndërruar në një shfaqje qesharake që zë vendin e hartimit të politikave reale”, shtoi ai.
Vance tha se ligjvënësit kanë në dispozicion mekanizma për të shprehur mospajtimet e tyre lidhur me politikat, por në vend të kësaj kanë zgjedhur të nisin një përpjekje për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes. Ai e krahasoi këtë nismë me procedurat e mëparshme të fajësimit ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se miratimi i ligjeve është i vështirë, ndërsa procedurat e fajësimit janë “të lehta (dhe në fund të fundit, pa pasoja)”.
Nënpresidenti pretendoi se kjo nismë buron nga rezistenca institucionale dhe jo nga dështimet në politikën e jashtme.
“Ironia është se ligjvënësit janë më të zemëruar me Peten pikërisht për çështjet në të cilat ai ka më shumë të drejtë: zhvendosjen e forcave larg Evropës dhe Ukrainës, si dhe riorganizimin e trupave të oficerëve të lartë. Kjo nuk ka të bëjë me Iranin, por me faktin se Pete i është kundërvënë burokracisë në Pentagon”, tha Vance.
Deklarata e tij erdhi pasi ligjvënësi republikan nga Kentaki, Thomas Massie, i cili po largohet nga Kongresi, të hënën paraqiti një rezolutë për shkarkimin e Hegsethit përmes procedurës së fajësimit.
Dhoma e Përfaqësuesve pritet ta shqyrtojë masën të martën, duke nisur me një mocion procedural për t’ia kaluar atë komisionit, me qëllim bllokimin e rezolutës përpara çdo debati të mundshëm në seancë plenare dhe votimi për nenet e fajësimit.
Hegseth e cilësoi Massien si një “kongresmen të pakënaqur dhe të mundur”, i cili po i shfrytëzon ditët e fundit në Kongres për të organizuar një “spektakël politik” të nxitur nga “egoja dhe pakënaqësia”.
Nisma për shkarkimin e Hegsethit vjen në një kohë kur lufta me Iranin po shkakton vëmendje dhe shqyrtim më të madh në opinionin publik amerikan. Vance e ka lidhur këtë çështje me pasoja më të gjera politike, duke ia atribuuar luftës humbjen e fundit zgjedhore të Republikanëve dhe duke shkruar se ajo ishte arsyeja pse ata humbën zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026.























