| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mali i Zi merr kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës
Presidenca e Monakos dhe ajo e Malit të Zi publikuan një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Ukrainës.
Mali i Zi merr kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës
Mali i Zi merr kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës / TRT Balkan AL

Mali i Zi mori nga Monakoja kryesimin me rotacion të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, në një takim të përfaqësuesve të 46 vendeve anëtare të kësaj organizate. 

Duke iu drejtuar Komitetit të Ministrave, Isabelle Berro-Amadei, ministre e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit e Monakos, paraqiti një pasqyrë të arritjeve të vendit të saj.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, prezantoi prioritetet e kryesimit malazez për gjashtë muajt e ardhshëm.

Kryesimi i Malit të Zi do të udhëhiqet nga tri prioritete kryesore, përkatësisht demokracia në epokën digjitale, barazia dhe mbrojtja e të drejtave themelore me fokus të veçantë te grupet e cenueshme si dhe siguria demokratike, e cila nënkupton forcimin e sundimit të ligjit dhe drejtësisë.

Në një deklaratë të përbashkët, presidencat e Monakos dhe Malit të Zi rikonfirmuan mbështetjen e palëkundur për Ukrainën, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës.

"Këshilli i Evropës do të vazhdojë të vërë ekspertizën dhe instrumentet e tij në shërbim të popullit ukrainas, qëndrueshmërisë së institucioneve të tij demokratike dhe aspiratave për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të shoqëruar me drejtësi dhe përgjegjësi. Pritet që së shpejti të miratohet edhe plani i ri i veprimit i Këshillit të Evropës me titull 'Siguria demokratike për Ukrainën' 2027-2030", thuhet në deklaratë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë