Presidenti Recep Tayyip Erdoğan deklaroi sot se Türkiye po ecën me hapa të sigurt drejt vizionit të saj për "Shekullin e Türkiyes", i cili synon ta ngrejë vendin mbi nivelin e qytetërimeve bashkëkohore, duke shtuar se qeveria po forcon më tej unitetin kombëtar dhe qëndrueshmërinë përmes nismave të reja.
"Ne po ndërmarrim një mobilizim të gjerë për përparim në çdo fushë", tha Erdoğan gjatë një ceremonie përkujtimore të mbajtur në Këshillin e Lartë të Kulturës, Gjuhës dhe Historisë "Ataturk", me rastin e 88-vjetorit të ndarjes nga jeta të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Türkiyes.
Ai vuri në dukje se është bërë përparim i rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjes së terrorizmit, për të cilin tha se e ka penguar Türkiyen për gati gjysmë shekulli.
"Ne po forcojmë paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm brenda kufijve tanë, por edhe përtej tyre. Po e forcojmë më tej frontin tonë të brendshëm përmes nismave të reja, pasi ai mbetet mburoja jonë më e fortë kundër sulmeve të brendshme dhe të jashtme", theksoi ai.
Pavarësisht paqëndrueshmërisë dhe konflikteve në rajonin përreth, Erdoğan nënvizoi se Türkiye po ecën drejt një të ardhmeje të përbashkët, në solidaritet midis shtetit dhe kombit. Ai shtoi se qeveria nuk do të ndalet dhe as nuk do të lëkundet derisa ta çojë vendin në një pozicion shumë më të fortë, përmes fitoreve dhe arritjeve të reja, duke shfrytëzuar plotësisht të gjitha burimet në dispozicion.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Erdoğan përkujtoi 88-vjetorin e ndarjes nga jeta të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Türkiyes, dhe shprehu nderimet e tij për ushtarët e rënë dhe veteranët.






















