| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Bullgari, mbi 10 persona humbin jetën në dy aksidente masive me rreth 50 automjete në një autostradë
Autostrada u mbyll në të dyja drejtimet dhe pritet të mbetet e tillë derisa të largohen të gjitha automjetet, njoftuan autoritetet.

Më shumë se 10 persona humbën jetën në dy aksidente masive, në të cilat u përfshinë rreth 50 automjete, në një autostradë kryesore në Bullgarinë juglindore të martën, duke detyruar mbylljen e autostradës në të dyja drejtimet, njoftuan autoritetet vendore, transmeton Anadolu.

Aksidentet ndodhën në korsi të kundërta të autostradës "Trakia", pranë nyjës "Zimnitsa" në rajonin Yambol, në kilometrat 289 dhe 294, deklaroi për Agjencinë Kombëtare Bullgare të Lajmeve (BTA) guvernatori rajonal, Georgi Chalakov.

Ministria e Brendshme njoftoi se mjegulla e dendur kishte kufizuar dukshmërinë në zonë, ndërsa drejtori i Administratës Rajonale të Rrugëve, Galin Kostov, përmendi gjithashtu lagështinë në rrugë dhe shpejtësinë e papërshtatshme për kushtet e motit.

Katër persona, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda, janë dërguar në spitalin "Shën Panteleimon" në Yambol, bëri të ditur zëvendësdrejtori i spitalit, Valentin Valchev.

Tetë persona të tjerë të lënduar pritet të dërgohen në një spital në qytetin fqinj, Sliven, tha guvernatori rajonal Mihail Kasherov duke informuar se njëri prej tyre ndodhet në gjendje shumë të rëndë, me dëmtime traumatike në tru.

Ekipet e emergjencës u nisën në vendngjarje menjëherë pas marrjes së njoftimit të parë në orën 07:10, u shpreh Chalakov.

Ekipet e shpëtimit u detyruan të hiqnin pjesë të barrierave mbrojtëse të rrugës për të arritur te disa nga të lënduarit, ndërsa mjegulla e dendur e bëri të pamundur evakuimin me helikopter.

Autostrada u mbyll në të dyja drejtimet dhe pritet të mbetet e tillë derisa të largohen të gjitha automjetet, njoftuan autoritetet.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë