Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, gjeneralmajor Roberto Vergori, është takuar në Tiranë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Siç njofton KFOR-i, takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme me partnerët rajonalë.
Bëhet e ditur se takimi u përqendrua te bashkëpunimi operacional dhe komunikimi, duke rikonfirmuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.
KFOR-i vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për ta garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.



















