| Albanian
SPORT
2 minuta leximi
UEFA i jep Infantinos afat prej dy javësh për të publikuar dokumente mbi qeverisjen e FIFA-s
Organi evropian i futbollit ka kërkuar transparencë lidhur me propozimin e dështuar të investimit për Kupën e Botës, Çmimin e Paqes të FIFA-s dhe pezullimin e sanksionit ndaj Folarin Balogunit.
UEFA i jep Infantinos afat prej dy javësh për të publikuar dokumente mbi qeverisjen e FIFA-s
UEFA i jep Infantinos afat prej dy javësh për të publikuar dokumente mbi qeverisjen e FIFA-s./ AA

UEFA i ka dhënë presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, afat deri më 2 nëntor për të publikuar dokumente kyç dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të mbetura pa përgjigje lidhur me qeverisjen dhe procesin e vendimmarrjes në FIFA, raportoi të hënën BBC Sport.

Në një letër të siguruar nga BBC Sport, sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis, ka thënë se FIFA nuk i ka trajtuar “një sërë çështjesh thelbësore” lidhur me qeverisjen dhe vendimmarrjen e saj pas mbledhjes së Këshillit të FIFA-s të enjten.

“Disa pyetje mbeten pa përgjigje dhe informacioni e dokumentacioni i kërkuar nuk është vënë në dispozicion”, thuhet në letër.

Letra përmban tetë faqe me pyetje lidhur me disa vendime të FIFA-s, përfshirë propozimin për investime private në kuadër të FIFA Forward Enterprise (FFE), Çmimin e Paqes të FIFA-s dhe pezullimin e përjashtimit ndaj futbollistit të kombëtares së ShBA-së, Folarin Balogun, gjatë Kupës së Botës.

Kërkesa vjen pavarësisht kërkimfaljes së Infantinos në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s të enjten për gabimet në komunikim dhe konsultim lidhur me propozimin e braktisur të FFE-së.

Propozimi parashikonte krijimin e një kompanie nën kontrollin e FIFA-s, e cila do të administronte të drejtat tregtare të garave të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës, ndërsa një pjesë e vogël e aksioneve do t’u shitej investitorëve privatë.

“Tërheqja e propozimit të FFE-së, pranimi i gabimeve dhe njoftimi për ‘reforma të mundshme në qeverisje’ nuk japin përgjigje se si u morën vendimet përkatëse dhe pse Këshilli i FIFA-s nuk u përfshi në fazën e duhur”, thuhet në letër.

UEFA paralajmëroi se pyetjet e mbetura pa përgjigje nuk mund të shtyhen deri në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të FIFA-s dhe se reformat e ardhshme nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë për vendimet e marra në të kaluarën.

Infantino synon të rizgjidhet në Kongresin e FIFA-s që do të mbahet në Rabat të Marokut në mars të vitit 2027, në një kohë kur udhëheqja e tij po përballet me shqyrtim gjithnjë e më të madh dhe kur vazhdojnë thirrjet për dorëheqjen e tij, të cilat janë shtuar që nga vera për shkak të propozimit tashmë të braktisur të FFE-së.