Ekspozita "GITEX Ai" Türkiye 2026, një nga ngjarjet kryesore të teknologjisë, ka hapur dyert në Istanbul të Türkiyes, me synimin për të zbuluar startup-e me potencial të lartë në fushën e inteligjencës artificiale.
Tubimi po bën bashkë kompani globale të teknologjisë, startup-e, investitorë, përfaqësues qeveritarë dhe profesionistë të industrisë në metropolin turk.
Ngjarja dyditore, e organizuar në Qendrën e Ekspozitave të Istanbulit, organizohet nga Zyra e Investimeve dhe Financave e Presidencës së Türkiyes, në partneritet strategjik me Ministrinë e Industrisë dhe Teknologjisë ndërsa Anadolu është partneri global i komunikimit.
Google Cloud, HPE, Nvidia, ASUS, Dell Technologies, SAP, TrendAI, Trendyol dhe Andevos janë ndër pjesëmarrësit në këtë ngjarje.
Samiti bashkon gjigantët global të teknologjisë me startup-et lokale në zhvillim ndërsa më shumë se 350 kompani po prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre para investitorëve ndërkombëtarë, politikëbërësve dhe drejtuesve të industrisë.
Pikëtakimi i teknologjisë dhe investimeve globale
Nënpresidenti i GITEX-it, Bilal Alrais, gjatë ceremonisë së hapjes theksoi se ngjarja mblodhi investitorë nga 70 vende për të mbështetur zgjerimin ndërkombëtar të kompanive lokale.
Alrais tha se tubimi mirëpret mbi 120 startup-e dhe më shumë se 20 kompani potenciale "unicorn" nga Türkiye. Ai bëri të ditur se organizatorët kishin planifikuar paraprakisht mbi 500 takime për të lehtësuar krijimin e lidhjeve të biznesit brenda ekosistemit turk.
Gokhan Yucel, drejtues i zyrës së komunikimit të Zyrës së Investimeve dhe Financave të Türkiyes, e përshkroi vendin si një pikëtakim të botës. Ai theksoi se Türkiye ofron qasje te 1,3 miliard njerëz dhe në tregje me një prodhim të brendshëm bruto të kombinuar prej 30.5 trilionë dollarësh, brenda një rrezeje fluturimi prej katër orësh.
Fokus te inteligjenca artificiale me në qendër njeriun
Më tej, Yucel tha se në ngjarjen dyditore morën pjesë më shumë se 400 ndërmarrje, mbi 100 investitorë që menaxhojnë miliarda dollarë dhe mbi 100 ekspertë dhe figura me ndikim në fushën e teknologjisë.
Ai theksoi se inteligjenca artificiale tashmë po transformon prodhimin, financat, tregtinë dhe shërbimet publike.
Yucel shtoi se Türkiye aktualisht ka 1.147 kompani aktive të inteligjencës artificiale. Ai tha se kapitulli i ardhshëm i inteligjencës artificiale duhet t’u japë përparësi zgjidhjeve me në qendër njeriun dhe teknologjive të besueshme.
Yucel bëri thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar dhe kapital afatgjatë për të ndërtuar një të ardhme digjitale gjithëpërfshirëse dhe me vlerë ekonomike.























