Çmimet e naftës sot janë rrritur me 2,2 për qind, me kontratat e ardhshme për naftën Brent që tejkaluan 100 dollarë për fuçi, teksa tensionet ShBA-Iran vazhdojnë të ndikojnë në tregjet e energjisë.
Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, u ngjit mbi 100 dollarë për fuçi rreth orës 07:30 GMT. Çmimi i naftës West Texas Intermediate (WTI) gjithashtu u rrit me 1,5 për qind, duke arritur në 94,5 dollarë për fuçi.
Sot, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha se forcat detare shënjestruan dy anije amerikane dhe tetë cisterna nafte në Gjirin Persik, duke pretenduar se sulmet u shkaktuan dëme të mëdha anijeve.
IRGC-ja tha se "sulmet u kryen në përgjigje të agresionit amerikan, përfshirë një sulm ndaj pesë cisternave iraniane të naftës në Gjirin Persik". IRGC-ja nuk identifikoi anijet amerikane apo cisternat e naftës që pretendoi se kishte shënjestruar dhe as nuk dha hollësi se kur ndodhën sulmet.
Në deklaratë po ashtu thuhet se "forcat detare iraniane kishin shënjestruar 10 anije të tjera që u përpoqën të hyjnë në një zonë të kufizuar dhe të pasigurt të Ngushticës së Hormuzit", duke pretenduar se ato vepronin me "inkurajimin dhe mbështetjen e ushtrisë amerikane".
Në muajin qershor, Teherani dhe Uashingtoni nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, me ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Katarit, i cili përcaktonte hapa drejt përfundimit të armiqësive, rihapjes së Ngushticës së Hormuzit dhe trajtimit të kufizimeve ekonomike.
Që atëherë, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mos zbatimin e angazhimeve të përcaktuara në memorandum ndërsa tensionet ushtarake kanë vazhduar krahas mosmarrëveshjeve lidhur me sanksionet dhe lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit.























