Është hapur në Prishtinë edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, i cili për pesë ditë do të sjellë aktivitete kulturore, edukative dhe argëtuese për fëmijët.
Festivali është hapur sot në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti”, ku janë vendosur edhe stendat me libra për fëmijë. Aktiviteti organizohet nga organizata joqeveritare “ETEA”, në bashkëpunim me Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”.
Drejtori i “ETEA”-s, Agon Ahmeti, ngriti vëmendjen mbi çështjen e inteligjencës artificiale, e cila theksoi se tashmë përdoret edhe nga fëmijët, mirëpo nuk e zëvendëson rëndësinë e leximit dhe librit.
“Libri na mundëson të bëjmë pyetje të mira. Na zhvillon mendjen për të bërë pyetje të mira. Në qoftë se nuk lexojmë, nuk dimë të bëjmë pyetje të mira. E, kur nuk dimë të bëjmë pyetje të mira, inteligjenca artificiale nuk na jep përgjigje të mira”, theksoi Ahmeti.
Gjatë pesë ditëve, deri më 27 shtator, fëmijët dhe familjet do të kenë mundësi të marrin pjesë në një program të pasur me aktivitete të ndryshme që lidhin librin dhe leximin me edukimin, artin, kreativitetin dhe argëtimin.
Programi i ditës së parë përfshin aktivitetin “Palaço me shokë”, promovimin e librave të serisë “Më quajnë... Nexhmije Pagarusha” dhe “Më quajnë... Majlinda Kelmendi” nga Shtëpia Botuese “Albas”, si dhe aktivitete të robotikës, inxhinierisë dhe kodimit për fëmijë.
Në kuadër të programit të sotëm do të ketë gjithashtu aktivitete të vallëzimit për fëmijë dhe një aktivitet të Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.
Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë mbahet në Prishtinë për të katërtin vit radhazi.























