Presidenti amerikan Donald Trump tha se Uashingtoni do të ndërtojë dy baza të mëdha ushtarake në Grenlandë në kuadër të një marrëveshjeje të re me Danimarkën, duke i thënë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se marrëveshja i jep ShBA-së “kontroll të përhershëm” mbi sigurinë e territorit të Arktikut.
“Ne do të fillojmë menjëherë procesin e zhvillimit të një pranie të madhe ushtarake në lokacionet e përshtatshme. Do të ndërtojmë dy baza ushtarake shumë të mëdha”, tha Trump në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork të martën.
Trump tha se marrëveshja, e arritur me Mbretërinë e Danimarkës dhe Grenlandën, i jep ShBA-së “kontroll të përhershëm mbi sigurinë dhe të gjitha nevojat e tjera” në këtë territor.
Ai tha se marrëveshja do t’i japë Uashingtonit “aftësinë e plotë për të bërë atë që është e nevojshme për të mbrojtur kontinentin amerikan, si dhe Evropën dhe vende të tjera”.
“Asnjë kundërshtar i ShBA-së nuk do të lejohet më të vendosë prani ushtarake në Grenlandë apo të bëjë investime të ndjeshme atje pa miratimin tonë të shprehur me shkrim”, tha ai.
Trump tha se marrëveshja do të nënshkruhet më vonë të martën, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, dhe vlerësoi Danimarkën dhe Grenlandën, duke thënë se palët “kanë krijuar vërtet një lidhje” gjatë negociatave.
Grenlanda, një territor me vetëqeverisje brenda Mbretërisë së Danimarkës, e ka tërhequr interesin e ShBA-së për shkak të pozicionit të saj strategjik dhe burimeve të mëdha minerale.
Marrëveshja vjen pasi Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të marrë kontrollin e Grenlandës për arsye strategjike dhe historike, duke iu referuar interesit dhe pranisë në rritje të Kinës dhe Rusisë në rajon.























