| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Maqedonia e Veriut dhe Türkiye diskutojnë mundësitë e reja për bashkëpunim në kulturë dhe turizëm
Në kuadër të vizitës zyrtare, ministri Sulejmani vizitoi Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit dhe realizoi takime me personalitete nga jeta publike dhe politike në Türkiye.
Maqedonia e Veriut dhe Türkiye diskutojnë mundësitë e reja për bashkëpunim në kulturë dhe turizëm
Maqedonia e Veriut dhe Türkiye diskutojnë mundësitë e reja për bashkëpunim në kulturë dhe turizëm

Në kuadër të vizitës zyrtare në Ankara, ministri i Kulturës dhe i Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, realizoi takim me homologun e tij, ministrin e Kulturës dhe të Turizmit të Republikës së Türkiyes, Mehmet Nuri Ersoy.

Sipas njoftimit të ministrisë, dy bashkëbiseduesit diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Türkiyes, si dhe për potencialet për thellimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në fushën e kulturës dhe turizmit.

"Ministrat shkëmbyen pikëpamjet dhe planet e tyre lidhur me veprimtarinë e Qendrave Kulturore-Informative në Shkup dhe Istanbul, projektet aktuale, ndër të cilat edhe ndërtimi i Teatrit Turk në vendin tonë, si dhe aktivitetet që synojnë intensifikimin e promovimit turistik. Gjithashtu, u shqyrtuan nismat që në të ardhmen pritet të japin shtysë të fuqishme për zhvillimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve", thuhet në njoftim.

Në takim, sipas njoftimit, u theksua edhe bashkëpunimi i suksesshëm me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), përmes së cilës gjatë viteve të kaluara janë realizuar projekte të shumta për mbrojtjen e drejtpërdrejtë të objekteve të trashëgimisë kulturore nga periudha osmane.

"U konfirmua se në periudhën e ardhshme do të sigurohet mbështetje nga TIKA për mbrojtjen e disa objekteve të tjera", u bë e ditur në njoftim.

Në njoftim gjithashtu u theksua se të dyja shtetet kanë bashkëpunim të shkëlqyer edhe në kuadër të UNESCO-s, gjë që u nënvizua edhe përmes aplikimeve multinacionale për regjistrimin e dy të mirave në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

Në kuadër të vizitës zyrtare, ministri Sulejmani vizitoi Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit dhe realizoi takime me personalitete nga jeta publike dhe politike në Türkiye.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë