Drejtori i Komunikimeve të Presidencës së Türkiyes, Burhanettin Duran, ka dënuar “ashpër” bastisjen izraelite në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, të udhëhequr nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.
“Dënoj me forcë bastisjen provokuese në Xhaminë Al-Aksa të kryer nga një ministër i kabinetit izraelit, i shoqëruar nga një grup ekstremistësh. Asnjë përpjekje që synon cenimin e shenjtërisë së Xhamisë Al-Aksa nuk është e pranueshme”, shkroi Duran në rrjetet sociale.
“Veprime të tilla të njëanshme nga qeveria gjenocidale e (Benjamin) Netanyahut, që e synojnë minimin e statusit historik dhe ligjor të Kudsit, përshkallëzojnë më tej tensionet në rajon dhe dëmtojnë shpresat për një paqe të qëndrueshme”, paralajmëroi ai.
Duke rikujtuar deklaratat e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, për mbrojtjen e statusit historik të Kudsit dhe të Xhamisë Al-Aksa, Duran tha se ruajtja e këtyre vendeve nuk është vetëm një përgjegjësi rajonale, por edhe një përgjegjësi e përbashkët e komunitetit ndërkombëtar.
Ai theksoi se Ankaraja do të vazhdojë të mbrojë të drejtat legjitime të popullit palestinez dhe të drejtat e Kudsit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas Guvernatorisë së Kudsit, së bashku me ministrin Ben-Gvir, rreth 1.300 kolonë izraelitë sot hyrën me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, me rastin e festës hebraike Tisha B’Av, e cila përkujton atë që hebrenjtë e quajnë “shkatërrimi i Tempullit”.




















